Arsenali distancohet nga deklarata e Ozilit për ujgurët myslimanë

  • 14 December 2019 - 15:58
Arsenali distancohet nga deklarata e Ozilit për ujgurët myslimanë

Arsenali është distancuar, përmes një deklaratë, nga komentet e mesfushorit të tyre, Mesut Ozilit, për ujgurët, që janë popull turk, kryesisht me përkatësi islame dhe që jetojnë më së shumti në Kinë, në krahinën autonome Singkjang Ujgur.

Mesfushori gjerman me origjinë turke, Mesut Ozil, ka reaguar ndaj raportimeve se në vendin aziatik po persekutohet, në baza etnike dhe fetare, ky grup minoritar.

Pretendohet se më shumë se një milion myslimanë që e flasin gjuhën turke në regjionin e Singkjangut janë dërguar në kampe përqendrimi. Ndaj këtij lajmi, Ozili reagoi në rrjetet e tij sociale.

“Turkistani lindor, plaga e përgjakur e Ummetit, po i reziston persekutuesve që po tentojnë t’i ndajnë ata nga besimi i tyre. Ata po e djegin Kuranin, i kanë mbyllur xhamitë, ia kanë ndalur vajtjen në shkolla, i kanë vrarë burrat e shenjtë”, shkroi Ozili.

“Burrat janë dërguar në kampe ndërsa familjet e tyre detyrohen të jetojnë me burra kinezë. Gratë detyrohen me dhunë të martohen me burra kinezë. Por, myslimanët rrinë të heshtur. Ata s’do të bëjnë zhurmë. Ata janë braktisur.  A s’e dinë se lejimi i persekutimit është vetë persekutim?”

Arsenali, që ka disa marrëveshje biznesi në Kinë, e ka publikuar një deklaratë për t’u distancuar nga këto komente të Ozilit.

“Sa i përket komenteve të bëra nga Mesut Ozili në rrjete sociale, Arsenali duhet ta bëjë një deklaratë të qartë. Materiali i publikuar është mendimi personal i Ozilit. Si klub futbolli, Arsenali gjithmonë i është përmbajtur principit për të mos e përfshirë veten në politikë”.

(Kosova Sot Online)