Prishtina me fitore bindëse ndaj Bashkimit

  • 14 December 2019 - 19:27
Prishtina me fitore bindëse ndaj Bashkimit

Derbi i kësaj jave në elitën e basketbollit kosovar ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit i ka takuar ekipit vendas.

Prishtina shënoi fitore me rezultat 120:59 (31:14, 28:17, 25:16, 36:12) në kuadër të javës së 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Vendasit e nisën ndeshjen më mirë nga fillimi, duke qenë më të mirë në çerekun e parë, që e fituan me rezultat 31:14. Bardhekaltrit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, duke e fituar edhe këtë pjesë 28:17, për të shkuar në pushim me rezultat 59:31.

Edhe në periodën e tretë, kryeqytetasit ishin më të mirë, për të fituar 25:16, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 84:47.

Në dhjetëminutëshin e fundit trajnerët u dhanë hapësirë lojtarëve që kishin më pak minuta, derisa Sigal Prishtina triumfoi në fund me rezultat 120:59.

Më të dalluarit te Sigal Prishtina ishin Divine Myles me 24 pikë e 11 kërcime, Fisnik Rugova me 21 pikë e gjashtë kërcime dhe Meriton Ismaili me 20 e pesë kërcime, kurse te Bashkimi më i miri ishte Corey Ross me 17 pikë.

Sigal Prishtina tani ka 12 fitore dhe tri humbje, kurse Bashkimi 11 fitore dhe katër humbje.

(Kosova Sot Online)