Guardiola: Emery u shkarkua si pasojë e rezultateve të dobëta, jo pse s’dinte anglisht

  • 15 December 2019 - 08:25
Guardiola: Emery u shkarkua si pasojë e rezultateve të dobëta, jo pse s’dinte anglisht

Unai Emery u shkarkua nga Arsenali për shkak të rezultateve të dobëta, jo sepse nuk qe në gjendje t’ua përçojë mesazhin lojtarëve të vet, sipas Pep Guardiolës, trajnerit të Manchester City.

Skuadra e Guardiolës e viziton sot stadiumin Emirates për t’u përballur me Arsenalin, i cili tani drejtohet nga Freddie Ljungberg, pas një fillimi tejet të dobët të sezonit.

Emery dështoi të fitojë në shtatë ndeshjet e tij të fundit si trajner i Arsenalit dhe ishte plot tetë pikë larg top katërshes në Premierligë kur u shkarkua. 

Trajneri spanjoll u kritikua se nuk fliste anglisht mjaftueshëm mirë, por Guardiola këmbëngul se kjo nuk mund të përdoret si arsyetim për dështimin në fushë.

“Sikur të ishte në gjendje të fitonte më shumë ndeshje, komunikimin e kishte të përkryer”, tha Guardiola.

“Sot ekzistojnë shumë mënyra për të komunikuar me lojtarët, përmes imazheve dhe jo vetëm përmes fjalëve. Nuk pajtohem me këtë plotësisht. Mund të komunikosh me duar, trup, emocione, imazhe, përmes ndihmëstrajnerëve dhe shumë gjërave të tjera, por arsyeja (e shkarkimit) nuk ishte kapaciteti i Unai, nuk dyshoj për këtë, por ndodhi sepse ai nuk i fitonte ndeshjet”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)