Shaqiri, i emocionuar nga sfida e re në Liverpool

  • 17 December 2019 - 08:45
Shaqiri, i emocionuar nga sfida e re në Liverpool

Xherdan Shaqiri është shprehur i emocionuar nga pjesëmarrja e Liverpoolit në Kupën e Botës për Klube, pasi që zvicerani me origjinë nga Kosova synon ta fitojë këtë garë, të cilën e konsideron të veçantë, për herë të dytë në karrierë.

Liverpooli do të garojë në Katar me synimin për të shkruar historinë duke e fituar për herë të parë në histori të klubit trofeun e Kupës së Botës për Klube.

Megjithatë, trajneri Jurgen Klopp  ka tentuar t’ia ulë rëndësinë këtij trofeu dhe arritjes së një tjetër rekordi, përmes deklaratave të tij në konferencat për shtyp.

Por, Shaqiri dhe bashkëlojtarët e tij dëshirojnë ta shtojnë edhe një tjetër medalje në koleksionin e tyre personal. Shaqiri kishte arritur sukses në këtë garë edhe më parë në karrierën e tij, kur kishte qenë në Bayern Munich.

28-vjeçari është detyruar të presë me durim për minuta lojë në ndeshjet e këtij sezoni, mirëpo ai është shprehur i gatshëm t’i shfrytëzojë në maksimum të gjitha ato raste që i vijnë në skuadrën e Liverpoolit.

“Është një garë e veçantë pasi që luan kundër klubeve të vendeve krejt tjera, kështu që është një përvojë e mrekullueshme”, tha Shaqiri në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të Liverpoolit.

“Nuk mund ta kesh gjithnjë këtë përvojë, është një rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, kështu që ne duhet ta shijojmë këtë. Unë e kam fituar këtë me Bayernin, ishte e mrekullueshme dhe e rëndësishme për klubin: një trofe i madh, një trofe i rëndësishëm”.

“Ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar. Do të jetë mirë – moti i mirë, skuadrat e mira, kështu që ne duhet ta shijojmë, por edhe të tentojmë ta fitojmë.  E kemi mundësinë të fitojmë dhe ta sjellin edhe një trofe në Liverpool”.

Liverpooli do ta hapë këtë turne me përballjen kundër klubit meksikan Monterrey më 18 dhjetor në gjysmëfinale, ndërsa në finale do t’i presë ose Flamengo, si fitues i Copa Libertadores, ose Al Hilal nga Arabia Saudite. 

(Kosova  Sot Online )