Serie A kritikohet ashpër për pikturat e majmunëve në kampanjën kundër racizmit

  • 17 December 2019 - 08:54
Serie A kritikohet ashpër për pikturat e majmunëve në kampanjën kundër racizmit

Iniciativa e fundit e Serisë A për ta luftuar racizmin nga futbolli italian është pritur me kritika të shumta, si nga organizata Kick It Out dhe agjenti i Romelu Lukakus, pasi që liga zgjodhi t’i ekspozojë përherë tri piktura të majmunëve në zyrat e veta.

Artisti, Simone Fugazzotto, është i njohur për përdorimin metaforik të majmunëve si qenie njerëzore në pikturat e tij dhe ia ka sqaruar se qëllimi i tij ishte t’ia kthente këtë koncept racistëve, duke e theksuar se të gjithë njerëzit kanë prejardhje nga majmunët.

Vendimi i ligës për t’i vendosur këto piktura në zyrën e vet në mënyrë të përhershme nuk është pritur mirë dhe është cilësuar racist, ndërsa më parë lojtarë si Romelu Lukaku dhe Kalidou Koulibaly ishin bërë cak i thirrjeve si majmunë nga tifozë racistë.

Si rezultat, shumë tifozë kanë mbetur të tronditur nga këto piktura dhe e kanë konsideruar vetë kampanjën kundër racizmit raciste, për shkak të përdorimit të majmunëve. Por, menaxheri i përgjithshëm i Serisë A, Luigi de Siervo, tentoi ta sqarojë atë që kishte ndodhur.

“Pikturat e Simones i reflektojnë plotësisht vlerat e ndershmërisë dhe tolerancës, kështu që ato do të mbesin në zyrat tona. Ne po mbajnë qëndrimin tonë të fortë kundër çdo lloj forme të paragjykimit”, ka thënë De Siervo për pikturat e tre majmunëve, prej të cilëve njëri është perëndimor, njëri aziatik dhe njëri i zi.

Organizata e famshme kundër racizmit, Kick It Out, e vlerësoi qëllimin e Serisë A, mirëpo sugjeroi të përdoret ndonjë tjetër metodë, e cila mund të ketë më shumë efekt.

“Është inkurajuese kur një organ qeverisës e kupton se duhet të bëjë më shumë për ta larguar diskriminim. Fatkeqësisht, përdorimi i majmunëve nga Serie A në kampanjën e tyre kundër racizmit është plotësisht i papërshtatshëm, e dëmton çdo qëllim të mirë dhe do të jetë antiproduktiv. Ne shpresojmë se liga do ta shqyrtojë edhe një herë dhe do t’i zëvendësojë pikturat e kampanjës”, thuhet në deklaratën e Kick It Out.

Agjenti i sulmuesit të Interit Romelu Lukakus ishte më pak i mëshirshëm me qëllimin e kampanjës dhe më shumë i tronditur nga pikturat e papërshtatshme.

“Sa herë që Serie A e hap gojën, gjërat përkeqësohen. Çdo herë që Serie A vjen me diçka kundër racizmit, gjërat përkeqësohen. Pikturat që ata i publikuan janë të pandjeshme, të turpshme jo vetëm për ligën, por për të gjitha klubet anëtare rreth e përqark Italisë”, ka thënë Michael Yorkmark.

“Unë s’mund ta kuptoj. Kjo vetëm e dëshmon se ata nuk kuptojnë. Kjo e dëshmon se ata s’ia kanë idenë çfarë të bëjnë në lidhje me racizmin në futboll. Ka ardhur koha që ata të kërkojnë ndihmë nga organizatat që e kuptojnë këtë problem”.

“Si munden klubet ta kenë një qëndrim të fuqishëm kundër racizmit kur liga nuk ia ka idenë çfarë po bën?”

(Kosova Sot  Online )