Neuer e Muller, të bindur se Bayerni do t’i hakmerret Chelseat

  • 17 December 2019 - 09:05
Neuer e Muller, të bindur se Bayerni do t’i hakmerret Chelseat

Manuel Neuer dhe Thomas Muller besojnë se Bayern Munich do të arrijë ta mposhtë dhe t’i hakmerret Chelseat, kur dy skuadrat të takohen në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Kampioni në fuqi i Bundesligës do të takohet me skuadrën e Frank Lampardit në një përsëritje të finales së sezonit 2011/12, kur Chelsea kishte triumfuar në penallti pas barazimit 1:1 në Munih.

Neuer dhe Muller luajtën në atë disfatë zhgënjyese në shtëpi për Bayernin, që u përgjigj në sezonin 2012/13 duke e fituar tripletën, ku përfshihej triumfi në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Dortmundit në Londër.

Pasi që Bayerni po kalon në formë paksa më të mirë me trajnerin e përkohshëm Hansi Flick, pas shkarkimit të Niko Kovacit, veçanërisht në Evropë, Neuer beson se skuadra e tij mund të niset për në këtë përballje me vetëbesim.

“Ne mezi po e presim ndeshjen në Londër, pasi që aty kemi pasur përvoja të mira. Chelsea është i rrezikshëm dhe ne duhet ta marrin shumë seriozisht dhe të nisemi në ndeshje plotësisht të përqendruar”, ka thënë Nueuer.

“Natyrisht ne duam të kalojmë te rundi e radhës. Mendoj se mund të shkojmë në këto ndeshje me shumë vetëbesim. Jemi të lumtur  me shortin, do të luajmë kundër një skuadre të mirë dhe tërheqëse”.

Muller tha se finalja e vitit 2012 nuk kishte rol në këtë përballje të 1/8 të finales, duke shtuar: “Është e qartë se nuk do të përballesh me skuadra të vogla në këtë fazë. Ne kemi mjaft vetëbesim. Po ndihem mirë për shortin”.

(Kosova Sot Online )