Tottenhami bën gati ofertën zyrtare për Muriqin

  • 17 December 2019 - 11:55
Tottenhami bën gati ofertën zyrtare për Muriqin

Tottenhami i Jose Mourinho është duke u përgatitur për t’ia bërë një ofertë zyrtare sulmuesit kosovar të Fenerbahces, Vedat Muriqi, sipas mediave turke.

Vedat Muriqi, i cili është përfolur për një transferim në Tottenhami gjatë këtij sezoni, i ka shënuar dhjetë gola në 15 paraqitjet e tij në të gjitha garat për Fenerbahcen. Ai shënoi edhe në ndeshjen e Kosovës kundër Anglisë, në kualifikimet për EURO 2020.

Javën e kaluar, mediat britanike raportuan se trajneri i ri Jose Mourinho është në kërkim të një opsioni të dytë për pozitën e qendërsulmuesit, ku luan Harry Kane. Skuadra e Tottenhamit e ka pasur këtë mungesë që kur Fernando Llorente u transferua në Napoli gjatë verës.

Mourinho thuhet se është tifoz i adoleshentit Troy Parrott, mirëpo duket se drejtuesit e Tottenahmit preferojnë ta transferojnë dikë me më shumë përvojë. Dhe mediumi turk Milliyet pretendon se londinezët e kanë identifikuar Muriqin si opsionin e përsosur.

I njëjti medium turk raporton se Tottenhami është tanimë duke e përgatitur një ofertë zyrtare për 25-vjeçarin, që pritej ta bëjë gjatë ditëve të ardhshme. Mediat e mëdha britanike ende s’kanë raportuar për një gjë të tillë, kështu që nuk ndihet se sa të vërteta ka në këtë spekulim

Shqetësimi kryesor është se sulmuesi kosovar mund të mos jetë i gatshëm të jetë vetëm si opsion i dytë pas Kane, pasi që ai thuhet se dëshiron të luajë më shumë minuta lojë kudo që shkon.

(Kosova Sot Online)