El Clasico: Lufta mes Barcelonës dhe Real Madridit për pozitën e liderit dhe për prestigj

  • 18 December 2019 - 08:26
El Clasico: Lufta mes Barcelonës dhe Real Madridit për pozitën e liderit dhe për prestigj

Real Madridi do ta vizitojë Barcelonën të mërkurën në mbrëmje për derbin më të madh në futboll El Clasico, ku do të përballen dy skuadrat e para në tabelën e La Ligës. Kjo ndeshje duhej të ishte zhvilluar në tetor, por ishte shtyrë për shkak të protestave të dhunshme në Katalonjë.

Stadiumi më i madh në Evropë, Camp Nou, do të jetë sonte skena e njërës prej përballjeve më interesante në botën e futbollit – El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit, që do të nisë në orën 20:00.

Që të dyja skuadrat i kanë nga 35 pikë pas 16 xhirove të para, por Barcelona e mban kreun e La Ligës shkaku i dallimit në gola, tani që po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të sezonit 2019/20.

Barcelona dhe Real Madridi gjithashtu kanë arritur të kualifikohen në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve dhe ndeshje të vështira do t’i presin këto dy gjigante të Spanjës gjatë shkurtit.

Kur këto dy skuadra takohen, gjithmonë ka tensione – si në fushën e lojës, ashtu edhe në tribuna – duke u bërë kështu e njohur si ndër rivalitetet më të mira në botë. Ky rivalitet pritet të jetë edhe më i zjarrtë sonte për shkak se dy skuadrat do të tentojnë ta marrin kreun e ligës, si dhe për shkak të tensioneve dhe protestave politike.

Barcelona: Një barazim i vështirë 2:2 kundër Real Sociedadit të shtunën ia shpenzoi Barcelonës më shumë energji sesa që kishte dashur, mirëpo ata ishin me fat që pushuan një ditë më shumë sesa Real Madridi.

Se sa do të ketë ndikim kjo ditë më tepër pushim, do të shihet në orën 20:00 sonte. Mirëpo, bastoret kanë parashikuar se Barcelona do ta mbajë qetësinë dhe do të fitojë me një sulm më dominues.

Real Madridi: Los Blancos morën barazim 1:1 në Valencia me një gol të shënuar në momentet e fundit të dielën nga Karim Benzema për të mbetur baras me Barcelonës, mirëpo ata e humbën mundësinë të vijnë në këtë ndeshje si liderë të ligës.

Real Madridi e ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon, mirëpo djemtë e Zinedine Zidane do të duhet të jenë më mbresëlënës dhe të krijojnë më shumë raste nëse duan ta mposhtin skuadrën e Zinedine Zidane. Mungesa më e madhe në skuadrën e Real Madridit është Eden Hazard.

(Kosova Sot Online )