Valverde: Futbolli duhet të jetë forcë bashkuese, El Clasico do të jetë e barabartë

  • 18 December 2019 - 09:11
Valverde: Futbolli duhet të jetë forcë bashkuese, El Clasico do të jetë e barabartë

Barcelona është nikoqire e Real Madridit në El Clasicon e parë të sezonit dhe Ernesto Valverde shpreson që ndeshja të kalojë pa ndonjë dramë jashtë fushës.

Trajneri i Barcelonës bëri thirrje që futbolli të jetë një forcë bashkuese, vetëm disa ditë pas një ndeshje të braktisur në mes të Rayo Vallecano dhe Albacete, ndërsa këmbëngul se ai beson në lirinë e shprehjes.“Njerëzit mund të shprehen në stadium, për sa kohë që ka respekt për të gjithë. Futbolli duhet të jetë diçka që na bashkon të gjithëve, jo diçka që na ndan”, ka thënë fillimisht Valverde në konferencë për shtyp.“Mendova se gjëja më e mirë për të bërë ishte të luhej ndeshja në datën origjinale. Do të kishte qenë një ndeshje e barabartë sikur të kishte ndodhur dy muaj më parë dhe do të jetë një ndeshje e barabartë edhe nesër (sot)”.“Çdo El Clasico është e vështirë. Kjo do të jetë Clasico e parë për disa nga lojtarët tanë. Kjo ndeshje ka konotacione të veçanta. Është luajtur në një nivel tjetër dhe ju vini re rëndësinë e takimit edhe nga tuneli”.

“Kjo është gjysma e parë e sezonit dhe ka shumë ndeshje për të luajtur, por të dy ekipet do të donin të ishin përpara në tabelë pas kësaj ndeshje. Fakti që të dy skuadrat janë të barabarta me pikë do të thotë që ky sezon i ligës është shumë i ekuilibruar”.

“Real Madrid shpesh i afrohet ndeshjeve këtu me intensitet, ndërsa ne kemi arritur rezultate të mira në El Clasicot në udhëtim”.

“Të kesh një ditë shtesë mund të ketë një ndikim, po. Është një avantazh i vogël. Mënyra se si ishte paraparë fillimisht ndeshja, ishim ne që duhej të kishim një ditë më pak”, tha Valverde kur u pyet për pushimin e Barcelonës një ditë më shumë.

“Të dy skuadrat dinë të përgatiten në këto situata dhe motivimi është në nivelin më të lartë. Vitin e kaluar ne luajtëm të mërkurën dhe më pas të shtunën dhe përgjigja ishte shumë e mirë”.

“Ne duhet të gjejmë mënyrën tonë të të luajturit, pavarësisht se kush luan për ta. Ata kanë shumë ndryshime dhe trajneri i tyre do të vendosë se çfarë të bëjë. Nuk e di se çfarë do të bëjë ai, nëse Gareth Bale ose Isco do të luajnë, nëse Vinicius ose Rodrygo do ta bëjnë këtë”.

“Benzema, është një lojtar që po kalon një sezon të shkëlqyeshëm dhe po shënon shumë. Pavarësisht se çfarë ndodh, ne duhet të gjejmë rrugën tonë”.

“Ishte e qartë se polemikat e futbollit nuk do të largoheshin plotësisht me ardhjen e VAR-it, sepse futbolli ka polemikë në të. Të gjithë i shohin gjërat nga një këndvështrim tjetër”, përfundoi trajneri i Barcelonës.

(Kosova Sot Online )