Barcelona – Real Madrid: Kush përfitoi nga shtyrja e ndeshjes për 53 ditë

  • 18 December 2019 - 10:19
Barcelona – Real Madrid: Kush përfitoi nga shtyrja e ndeshjes për 53 ditë

El Clasico e sotshme ishte planifikuar të zhvillohet fillimisht më 26 tetor, mirëpo protestat politika në rrugët e Barcelonës bënë që ndeshja të shtyhej për sonte në orën 20:00.

Stadiumi më i madh në Evropë, Camp Nou, do të jetë sonte skena e njërës prej përballjeve më interesante në botën e futbollit – El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit, që do të nisë në orën 20:00.

Nëse ndeshja do të ishte zhvilluar në tetor, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht, Barcelona do ta kishte nisur ndeshjen me një pikë epërsi ndaj Real Madridit në tabelën e La Ligës.

Dy skuadrat tani janë me baras pikë, nga 35, në krye të tabelës së La Ligës, mirëpo Barcelona e mban sërish pozitën e liderit për shkak të dallimit në gola.

Sa i përket formës, Barcelona kishte pasur  një ecuri më të mirë të rezultateve para 26 tetorit, pasi që i kishte fituar gjashtë ndeshjet e fundit – ecuria më e mirë e katalonasve deri më tani këtë sezon.

Sa i përket Real Madridit, ata i kishin arritur tri fitore, dy barazime dhe një disfatë para 26 tetorit, ndërsa tani po performon më mirë, duke i marrë katër fitore dhe dy barazime nga gjashtë ndeshjet e tyre të fundit.

Lëndimet

Real Madridi do të kishte pasur më shumë mungesa të lojtarëve për shkak të lëndimeve pavarësisht se a do të zhvillohej ndeshja në tetor apo tani në dhjetor. Megjithatë, mungesa aktuale e Eden Hazardit mund të jetë vendimtare.

Belgu kishte qenë në gjendje të mirë në tetor, ndërsa tani ai dhe Marcelo do të mungojnë në ndeshjen kundër Barcelonës. Megjithatë, Luka Modric, Gareth Bale dhe Nacho tani janë në dispozicion për trajnerin Zidane, pasi që kishin qenë të lënduar në fund të tetorit.

Në skuadrën e Barcelonës, Ousmane Dembele do të kishte qenë i pezulluar për El Clasicon e tetorit, por ai tani ka të drejtë të luajë.

Ndërkohë, Sergi Roberto dhe Samuel Umtiti ishin në dyshim për ndeshjen e tetorit, ndërsa tani të dy janë në dispozicion të trajnerit.

Pushim

Barcelona do ta luajë El Clasico me 29 orë më shumë pushim sesa kundërshtari i vet, ndërsa Real Madridi do t’i kishte pasur 24 orë më shumë pushim për ndeshjen e tetorit.

(Kosova Sot Online )