Wenger: Artetas do t’i duhet ndihmë në Arsenal

  • 18 December 2019 - 11:39
Wenger: Artetas do t’i duhet ndihmë në Arsenal

Arsene Wenger ka paralajmëruar se mungesa e përvojës së Mikel Artetas mund të ketë ndikim te arritjet e tij nëse ai bëhet trajneri i ri i Arsenalit, duke shtuar se ai do të duhet ta rrethojë veten me njerëzit e duhur.

Mikel Arteta pritet të emërohet zëvendësues i Unai Emeryt të shkarkuar në pozitën e trajnerit të Arsenalit, pasi që trajneri i përkohshëm Freddie Ljungberg ka dështuar t’i përmirësojë rezultatet e skuadrës.

Pasi i kishte kaluar pesë vjetët e fundit të karrierës së tij si lojtar nën drejtimin e Wengerit në Arsenal, Arteta u bë ndihmës i Pep Guardiolës në Manchester Cityt, me të cilët ka arritur ta fitojë dy herë titullin e Premierligës.

“Unë jam tifoz i Arsenalit. Për momentin e mbështes trajnerin aktual dhe tani punën e trajnerit po e kryen Ljungbergu. Kur Arteta të bëhet trajneri i ri, unë do ta mbështes atë”, ka thënë Wenger.

“Ai [Arteta] është inteligjent, ka shumë pasion, njohuri, por këto karakteristika i ka edhe Ljungbergu”.

“Unë besoj se Arteta e ka një të ardhme të mrekullueshme, pa dyshim. Ai ka mësuar shumë nga pozita e tij e parë si ndihmëstrajner dhe pas kësaj ai duhet të përballet me faktin që s’ka shumë përvojë si kryetrajner dhe do të duhet të rrethohet mirë me njerëz”.

Epoka 22-vjeçare e Wengerit në Arsenal mori fund në maj të vitit 2018, kur klubi e emëroi Emeryn si trajner të ri, përderisa edhe Arteta ishte intervistuar atëherë për këtë pozitë. 

(Kosova Sot Online)