Ish-ylli i Zvezdës: Dështim i madh nëse Maqedonia mposhtet nga Kosova

  • 18 December 2019 - 12:59
Ish-ylli i Zvezdës: Dështim i madh nëse Maqedonia mposhtet nga Kosova

Ish sulmuesi i Crvena Zvezdës nga Beogradi dhe Vardarit nga Shkupi, Darko Pançev, beson se do të ishte një mossukses i madh për Maqedoninë e Veriut nëse pëson disfatë kundër Kosovës në play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes Rrugës D të play-offs, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.

Darko Pançev, në intervistën e tij të fundit për Balkans.aljazeera.net, mes tjerash ka dhënë mendimin e tij për gjasat e Maqedonisë së Veriut për tu kualifikuar në Euro 2020.

“Gjasat që ne të kualifikohemi në Kampionatin Evropian janë shumë të mëdha, megjithatë nuk duhet ta nënvlerësojmë askënd. Duke pasur parasysh se selektori Igor Angelovski thotë se kjo është gjenerata më e mirë në histori të Maqedonisë, atëherë s’duhet ta kemi problem”, ka thënë Pançev.

“Jemi favoritë kundër Kosovës, pasi që edhe luajmë në shtëpi. Nëse nuk fitojmë në atë ndeshje, do të jetë një dështim i madh për vendin tonë”, shtoi legjenda e futbollit maqedonas.

Po ta arrijë finalen dhe ta fitojë atë, Kosova do të kualifikohet në EURO 2020, ku tashmë është bërë e ditur se do të jetë në Grupin C. Megjithatë, nëse Rumania shpallet fituese e Rrugës të Ligës së kombeve, ku garon me Islandën, Bullgarinë dhe Hungarinë, atëherë Kosova do të zhvendoset në Grupin F, që është bërë i njohur si Grupi i Vdekjes.

Në Grupin C do të garojë Holanda, Ukraina, Austria dhe fituesi i Rrugës D të play-offs, që mund të jetë Kosova. Ndërsa në Grupin F radhiten Portugalia, Franca, Gjermania dhe fituesi i Rrugës A të play-offs.

Megjithatë, Kosova mund të zhvendoset nga Grupi C në Grupin F nëse Rumania e fiton Rrugën A të play-offs, pasi që Grupi C do të luhet në Bukuresht të Rumanisë dhe UEFA ka planifikuar që vendet nikoqire të këtij Evropiani të luajnë në vend të vet në ndeshjet e grupit nëse kualifikohen. 

(Kosova Sot Online)