Maradona zgjedh më të mirin në histori, injoron Messin e Ronaldon

  • 18 December 2019 - 15:40
Maradona zgjedh më të mirin në histori, injoron Messin e Ronaldon

Diego Maradona e ka emëruar bashkëkombësin e tij argjentinas, Alfredo Di Stefanon, si futbollistin më të mirë në histori, duke thënë se ai kishte qenë superior edhe ndaj vetë Maradonas dhe Peles.

Trajneri aktual i Gimnasia de La Platas, Diego Maradona, shpeshherë cilësohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, për shkak të arritjeve të tij me Barcelonën, Napolin dhe Kombëtaren e Argjentinës.

Dhe, përderisa ish-sulmuesi argjentinas beson se ai ka arritur mjaftueshëm për të qenë protagonist në debate të tilla, ai beson se një tjetër argjentinas është më i miri në botë – Di Stefano.

“Mendoj se më i miri është Di Stefano. Ai ishte superior ndaj të gjithëve – edhe në krahasim me mua. Pele nuk dëshironte të ishte i vetëdijshëm për talentin e Di Stefanos”, ka thënë Maradona, në një intervistë të dhënë për TyC Sports’ Libero.

“Shokët e Peles e shpikën një trofe të veçantë për të, për të qenët një legjendë e gjallë e futbollit. Unë madje e mposhta Pelen edhe në Rio në garën për më të mirin në histori”.

Tani që Messi e fitoi për herë të gjashtë në karrierë Topin e Arte, Maradona tha se edhe ai do të kishte shumë Topa të Artë, mirëpo edhe e lavdëroi bashkëkombësin e tij në Barcelonë.

“Mendoj se do t’i kisha shumë Topa të Artë, por ajo që Messi po e bën është e jashtëzakonshme. Unë nuk do të doja kurrë të përballesha me Messin. Ai vjen në shtëpi, luan futboll, nuk e këndon himnin kombëtar dhe ata i thonë katalonas. Unë nuk e kritikoj Messin ashtu siç bëjnë disa”. 

(Kosova Sot Online)