Detaje nga masat e sigurisë për El Clasico: Barcelona niset e para drejt Camp Nou

  • 18 December 2019 - 16:03
Detaje nga masat e sigurisë për El Clasico: Barcelona niset e para drejt Camp Nou

Barcelona dhe forcat policore të ndryshme janë duke e finalizuar planin e sigurisë që do të implementohet gjatë ndeshjes të së mërkurës në Camp Nou, kundër Real Madridit në kuadër të La Ligës.

Stadiumi më i madh në Evropë, Camp Nou, do të jetë sonte skena e njërës prej përballjeve më interesante në botën e futbollit – El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit, që do të nisë në orën 20:00.

Që të dyja skuadrat i kanë nga 35 pikë pas 16 xhirove të para, por Barcelona e mban kreun e La Ligës shkaku i dallimit në gola, tani që po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të sezonit 2019/20.

Kur këto dy skuadra takohen, gjithmonë ka tensione – si në fushën e lojës, ashtu edhe në tribuna – duke u bërë kështu e njohur si ndër rivalitetet më të mira në botë. Ky rivalitet pritet të jetë edhe më i zjarrtë sonte për shkak se dy skuadrat do të tentojnë ta marrin kreun e ligës, si dhe për shkak të tensioneve dhe protestave politike.

Koordinatori për masat e sigurisë në El Clasico, Luis Venteo, i ka bërë të ditura disa fakte rreth planit që është bërë gati për ndeshjen.

“Autobusët e dy skuadrave do të nisen ndarazi; fillimisht Barcelona dhe pastaj Real Madridi. Gjyqtarët, në anën tjetër, e kanë një tjetër plan. Unë jam shumë optimist”, ka thënë Venteo.

“Unë do t’i këshilloja edhe familjet me fëmijë të shkojnë në këtë ndeshje. Planet e sigurisë marrin fund kur Real Madridi të kthehet në kryeqytetin spanjoll”.


(Kosova Sot Online)