Zhang: Interi do ta sundojë botën

  • 18 December 2019 - 17:09
Zhang: Interi do ta sundojë botën

Presidenti i Interit, Steven Zhang, i ka paralajmëruar rivalët se zikaltrit e bashkuar do ta pushtojnë botën, duke thënë se nuk ia kanë frikën askujt gjatë një fjalimi shpërthyes në darkën e klubit për Krishtlindje.

Interi është duke e sfiduar Juventusin për titull në Serie A këtë sezon dhe, për momentin, këtu dy klub e ndajnë pozitën e parë me 39 pikë secili pas 16 ndeshjeve.

Por në të njëjtën kohë, Zhang u ka bërë thirrje lojtarëve të Interit ta ruajnë përulësinë, në mënyrë që t’i tejkalojnë pengesat gjatë rrugëtimit të tyre.

“Tani jemi në krye të Serie A. Kjo do të thotë shumë për ne; nënkupton se jemi në rrugën e duhur. Të gjitha përpjekjet tona do të shpërblehen hap pas hapi”, tha Zhang.

“Por kjo nuk do të thotë asgjë. Sepse ne duhet të jemi të përulur dhe të mësojnë nga e kaluara”, shtoi ai.

“Ne nuk kemi frikë nga asgjë. Sot dhe në të ardhmen, duhet guxim. Vetëm në këtë mënyrë mund të synojmë dhe të garojmë në nivelet më të larta. Të gjithë ne së bashku, kjo familje e madhe, do ta pushtojmë botën”, përfundoi ai. 


(Kosova Sot Online)