FFK-ja e shpall sot futbollistin më të mirë të vitit

  • 20 December 2019 - 08:20
FFK-ja e shpall sot futbollistin më të mirë të vitit

Federata e Futbollit e Kosovës do t’i shpërblejë me çmime futbollistin më të mirë të vitit 2019 dhe disa njerëz të tjerë të përfshirë në sport sot, e premte, në orën 17:00.

Tani që viti 2019 është shumë afër fundit, Federata e Futbollit e Kosovës është bërë gati ta shpallë futbollistin më të mirë kosovar të këtij viti kalendarik – çmim ky të cilin vitin e kaluar e fitoi Arbër Zeneli.

“Edhe sivjet në këtë gala mbrëmje tradicionale do të jenë të ftuar mysafirë të shumtë, kurse si zakonisht do të përmblidhen të arriturat e vitit si dhe do të bëhet përzgjedhja e më të mirëve”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga FFK-ja.

“Komisioni i caktuar nga KE i FFK-së tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë manifestim, i cili do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK. Të rikujtojmë se vitin e kaluar epiteti i futbollistit më të mirë të vitit i takoi Arbër Zenelit”.

Këtë vit besohet se favoritë janë Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, të cilët jo vetëm që kanë shkëlqyer për ekipet e tyre, Werder Bremenin dhe Fenerbahcen, por edhe me ekipin kombëtar të Kosovës.

Rashica i ka shënuar nëntë gola në 14 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon (7 në 12 ndeshje të Bundesligës dhe dy në dy ndeshje të Kupës së Gjermanisë), ndërsa ka kontribuar në Bundesligë edhe me tri asiste.

Ndërsa, Muriqi i ka shënuar dhjetë gola në 15 ndeshje të zhvilluara sezon (nëntë në 14 ndeshje të Superligës turke dhe një në po aq ndeshje të Kupës së Turqisë), ndërsa ka kontribuar edhe me tre asiste të tjera.

Për këtë çmim vlejnë edhe statistikat e arritura në pjesën e dytë të sezonit 2018/29, domethënë gjatë vitit 2019, si dhe paraqitjet me ekipin kombëtar të Kosovës.

Rashica ka luajtur në shtatë ndeshje të Kosovës gjatë këtij vitit kalendarik, ndërsa në tri ka munguar shkaku i një lëndimi, dhe ka kontribuar me dy gola dhe një asist. Edhe Muriqi ka luajtur dhe ka munguar në baras ndeshje me Rashicën këtë vit, mirëpo ka kontribuar me katër gola dhe me dy asiste.

(Kosova Sot Online )