Deschamps ia beson Zidanit postin e trajnerit të Francës për të ardhmen

  • 20 December 2019 - 09:38
Deschamps ia beson Zidanit postin e trajnerit të Francës për të ardhmen

Trajneri i ekipit kombëtar të Francës, Didier Deschamps, beson se trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, do ta marrë postin e trajnerit të “Les Blues” në të ardhmen, mirëpo tha se nuk e di kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Zinedine Zidane e ka marrë sërish nën drejtim skuadrën e Real Madridit, duke u kthyer në mars të këtij viti pasi u largua në maj të vitit të kaluar, pas triumfit në tri sezone radhazi të Ligës së Kampionëve.

Ish-mesfushori dhe kapiteni i Kombëtares së Francës, që e fitoi Kupën e Botës në vitin 1998, është raportuar se do të jetë zëvendësuesi i Didier Deschamps në postin e trajnerit të Francës në të ardhmen.

Përderisa Deschamps do të mbetet trajner i Francës të paktën deri në Kupën e Botës 2022, pasi kishte treguar suksese në këtë turne në vitin 2018 në Rusi, ai beson se 51-vjeçari Zidane do ta marrë postin e trajnerit në të ardhmen.

“Trajneri i radhës mund të jetë Zizou”, ka thënë Deschamps, i cili ka qenë trajner i Francës që nga viti 2012, në një intervistë të dhënë për Le Monde.

“Dikur, herët apo vonë, ai do të jetë trajneri i Kombëtares”.

Megjithatë, Zidane do të duhet të presë edhe pak kohë nëse dëshiron ta marrë këtë post, pasi që Deschamps e rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2022, pasi Franca e mposhti Kroacinë në finalen e Kupës së Botës Rusia 2018.

(Kosova Sot Online )