Driton Kuka kritikon autoritetet: Statuja e Majlindës po vjen, por ende s’dihet lokacioni

  • 20 December 2019 - 09:49
Driton Kuka kritikon autoritetet: Statuja e Majlindës po vjen, por ende s’dihet lokacioni

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, e ka kritikuar Komunën e Prishtinës që nuk ka dhënë ende përgjigje për lokacionin ku do të vendoset statuja e Majlinda Kelmendit, duke shtuar se statuja është drejt Kosovës dhe artistët që e punuan atë duan ta dinë lokacionin e saktë.

Driton Kuka e kishte konfirmuar në korrik të këtij viti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’ia ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

Kuka kishte thënë se “artistët më të njohur në botë janë ftuar për ta punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”. Përkundër që kjo statujë po ndërtohet nga Federata Botërore e Xhudos, Kuka bëri të ditur se ajo do të vendoset në Kosovë dhe kërkoi sugjerime për lokacionin e saktë.

Pikërisht lokacioni është bërë problemi kryesor në këtë çështje, pasi që Driton Kuka thotë se Komuna e Prishtinës s’i ka kthyer atij përgjigje qysh nga vera për lokacionin e statujës së Majlinda Kelmendit.

“Po e ndaj me ju një informacion! Statuja e Majlindes po vjen në Kosovë. Kërkesa e jonë nëpërmes Ministrisë drejtuar Komunës së Prishtinës qysh në muajt e veres deri sot ka mbet pa përgjegje!”, ka shkruar Kuka në rrjetin social Facebook.

“E kemi menduar Statujen të ngritet në kryeqytet si Kampionja e parë dhe e vetme Olimpike por kot!!! Kryetari i Prishtinës asnjë info për këtë çështje…”

“Jeta Xharra ishte sygjerimi yt që e kishim konsideruar për vendin e statujes e tash çka ma tutje kur kjo ka has në vesh të shurdhër! Mailin e ardhur nga artistët po e ndaj me ju.”.

Majlinda Kelmendi u bë kosovarja e parë që arriti të fitojë medalje të artë në Lojërat Olimpike, pas suksesit të treguar në Rio 2016. Ajo ishte kampione botërore e xhudos në vitet 2013 dhe 2014, ndërsa kampione evropiane në vitet 2014, 2016 dhe 2017.

Në vitin 2017, ajo e fitoi Grand Slamin e Parisit për të katërtën herë (2013-2017). Kelmendi ka qenë gjithmonë e stërvitur nga Driton Kuka. Ajo e barti flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Rio 2016.

Kosovarja e nisi vitin 2019 me fitore në Grand Prixin e Tel Avivit, ndërsa e vazhdoi me suksese të njëjta edhe në Grand Slamin e Dusseldorfit dhe në Lojërat Evropiane në Minsk.

(Kosova Sot Online )