Faqja e famshme e futbollit ia përkujton Bayernit golin e jashtëzakonshëm të Rashicës

  • 20 December 2019 - 10:39
Faqja e famshme e futbollit ia përkujton Bayernit golin e jashtëzakonshëm të Rashicës

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar sërish golin e jashtëzakonshëm të Milot Rashicës në ndeshjen kundër Bayernit, duke shkruar se Jerome Boateng nuk do t’i pëlqejë ta shohë atë gol sërish.

Bayerni siguroi fitore me rezultat të thellë 6:1 kundër Werder Bremenin në fundjavë, në ndeshjen e vlefshme për Bundesligë që u zhvillua në stadiumin “Allianz Arena”.

Megjithatë, ylli kosovar Milot Rashica arriti ta marrë vëmendjen në këtë ndeshje pasi që e tronditi Bayernin në minutën e 24-të, duke e kaluar Bremenin në epërsi përmes një goli të jashtëzakonshëm.

Përkundër që Bayerni e përmbysi rezultatin dhe siguroi fitore me rezultat bindës në këtë ndeshje, Goal.com ia kujtoi kampionit në fuqi të Gjermanisë edhe një herë golin e jashtëzakonshëm të kosovarit.

“Jerome Baoteng nuk do të dëshirojë ta shohë këtë sërish. Çfarë goli nga Milot Rashica”, shkroi Goal.com, mbi videon e golit të kosovarit.

Deri më tani këtë sezon, Rashica i ka shënuar nëntë gola dhe ka kontribuar me tre asiste në 14 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat për Bremenin (12 ndeshje në Bundesligë dhe dy në Kupën e Gjermanisë). 

(Kosova Sot Online)