FIFA shqyrton mundësinë: Kupa e Botës, çdo dy vjet

  • 20 December 2019 - 13:49
FIFA shqyrton mundësinë: Kupa e Botës, çdo dy vjet

FIFA është duke e shqyrtuar mundësinë që ta organizojë turneun e Kupës së Botës të vajzave çdo dy vjet e jo çdo katër vjet siç ndodh tani. Këtë lajm e ka konfirmuar presidenti i FIFA-s, Gianni Infatino.

Ideja për ta zhvilluar Kupën e Botës, në konkurrencën e vajzave, çdo dy vjet ishte propozuar fillimisht nga presidenti i Federatës së Futbollit të Francës – Noel Le Graet – në korrik dhe Infantino tha se ideja e tij mund të aprovohet.

“Ai [La Graet] tha se ne duhet ta organizojmë Kupën e Botës në konkurrencën e vajzave çdo dy vjet e jo çdo katër vjet sepse ky turne ka pasur ndikim kaq të madh dhe pozitiv në futbollin e vajzave”, ka thënë Infantino për Sky Sports News.

“Kjo është diçka që ne duhet ta shqyrtojmë dhe ne po e shqyrtojmë mundësinë. Ka shumë mundësi emocionuese sa i përket futbollit të vajzave për vitet e ardhshme”.

Ekipi kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e fitoi Kupën e Botës në Francë verën e kaluar, duke e mposhtur Holandën me rezultat 2:0 në finale, për ta fituar trofeun për herë të katërt në histori.

Lokacioni i turneut të ardhshëm, që do të mbahet më 2023, nuk është vendosur ende. Brazili, Kolumbia dhe Japonia kanë kërkuar ta marrin të drejtën e organizimit të këtij turneu, përderisa Australia dhe Zelanda e Re kanë propozuar që ta marrin ato së bashku. 

(Kosova Sot Online)