Matuidi u kërkon lojtarëve të bardhë ta ngrenë zërin kundër racizmit

  • 20 December 2019 - 14:51
Matuidi u kërkon lojtarëve të bardhë ta ngrenë zërin kundër racizmit

Mesfushori i Juventusit, Blaise Matuidi, u ka bërë thirrje lojtarëve të bardhë që të marrin një rol më aktiv në luftën kundër racizmit në futboll. 32-vjeçari francez luan sezonin e tij të tretë në Serie A, teksa ky kampionat ra së fundi pre e një stuhie tjetër racizmi.

Ekipet që preken nga kësi sjelljesh mund të largohen nga fusha, nën urdhrat e gjyqtarit të ndeshjes, çka është pjesë e protokollit zyrtar të UEFA-s për trajtimin e racizmit, por Matuidi nuk mendon se kjo mjafton.

“Është marrëzi, kësi njerëzish nuk duhet të kenë vend në një stadium futbolli, – tha ai për “RMC Sport”. – Unë mendoj se braktisja e fushës nuk është zgjidhja e duhur. Kam menduar për këtë, por nuk mendoj se është domosdoshmërisht gjëja e duhur për të bërë. Do të ishte një humbje për futbollin të vepronim kështu. Unë do t’ju them atë që mendoj me të vërtetë. Do të ishte mirë nëse një deklaratë e fortë bëhet nga një person, që nuk ka ngjyrë (i bardhë). Kjo do të ishte më e efektshme, më e mirë. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë fatkeqësi”.

Incidentet e profilit të lartë, që përfshijnë abuzimin racial ndaj Mario Balotelli, Romelu Lukaku dhe Kalidou Koulibaly kanë nënkuptuar se futbolli italian është në shënjestër të kësaj “flame”, transmeton Telesport.

Matuidi u pyet edhe për kohën e tij te PSG. Ai ishte pjesë e skuadrës së PSG-së, e cila humbi 6-1 ndaj Barcelonës, në mars 2017, duke hedhur në erë epërsinë 4-0 të ndeshjes së parë në Champions. 

“A ishte momenti më i keq i karrierës time? Jo, kjo ndodhi në “Euro 2016”, por ishte një situatë vërtet e vështirë. Në atë kohë, në dhomën e zhveshjes thashë me vete: Nuk është e mundur, nuk dua të luaj më futboll! Më vinte turp nga vetja. Por, ky është futbolli. Fatmirësisht, kam pasur disa momente të tjera të shkëlqyera me PSG. Ruaj kujtime të mrekullueshme nga tifozët dhe njerëzit që e duan klubin. Mendoj se edhe ata kanë kujtime të mira nga unë”.

(Kosova Sot Online)