Lojtarët e Man Unitedit, të bindur se Pogba s’do të luajë më për “Djajtë e kuq”

  • 20 December 2019 - 16:01
Lojtarët e Man Unitedit, të bindur se Pogba s’do të luajë më për “Djajtë e kuq”

Futbollistët dhe zyrtarët e Manchester Unitedit janë të bindur se mesfushori francez, Paul Pogba, s’do të luajë më në asnjë ndeshje për klubin anglez, pasi që e dëshiron largimin nga Old Trafford, sipas DailyMirror.

Paul Pogba s’ka luajtur në asnjë ndeshje, për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, që nga fundi i shtatorit, ndërsa Ole Gunnar Solskjaer zbuloi në fillim të kësaj jave se kthimi i tij në skuadër është shtyrë për shkak se francezi ishte i sëmurë.

Trajneri i Manchester Unitedit Solskjaer insistoi në konferencën e fundit për shtyp se Pogba nuk do të shitet gjatë afatit kalimtar të janarit dhe se do të kthehet në formën e tij më të mirë për të luajtur për Djajtë e Kuq.

“Jo, ai nuk do të shitet gjatë afatit kalimtar të janarit. Kur ai të kthehet, do të luajë mirë, me buzëqeshje në fytyrë dhe do ta bëjë atë që e bëri kur erdha unë këtu para një viti. Pauli ka qenë fantastik”, tha trajneri 46-vjeçar.

“Ne e dimë se e kemi njërin ndër lojtarët më të mirë në botë kur është në formë të mirë. Atij i duhet vetëm pak kohë. Shpresoj se ai do të kthehet këtë muaj, nuk do ta nxitoj. Nuk mund të rrezikojmë të lëndohet sërish”.

Por, disa nga bashkëlojtarët e Pogbas në Manchester United dhe disa zyrtare brenda klubit tani besojnë se francezi nuk do ta veshë më kurrë fanellën e Manchester Unitedit, përkundër insistimit të trajnerit të klubit.

Pogba raportohet se do të tentojë ta detyrojë klubin ta shesë qysh në afatin kalimtar të janarit. Francezi preferon të shkojë në Real Madridi, ku Zinedine Zidane e ka shprehur shpeshherë dashurinë për të, mirëpo s’do ta refuzonte as Juventusin.

(Kosova Sot Online)