Challandes: Vit i “çmendur”, shpresojmë të kualifikohemi në Euro 2020

  • 20 December 2019 - 17:31
Challandes: Vit i “çmendur”, shpresojmë të kualifikohemi në Euro 2020

Përzgjedhësi i Përfaqësues së Kosovës, Bernard Challandes e ka konsideruar vitin që po e lëmë pas si mjaft pozitiv dhe të “çmendur”.

Trajneri zviceran i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, ndërsa i ka përgëzuar lojtarët për paraqitjet që i shfaqën në vitin 2019.

“Ishte një vit interesant dhe ngazëllues. Objektivi ishte i qartë, të përparojmë, të përmirësohemi. Ekipi ka bërë performanca mjaft të mira në kualifikimet e Euro 2020. Jam mjaft i lumtur me këtë ekip”, ka thënë Challandes.

“Ne e kishim një fazë mjaft interesante të kualifikimeve. Më duhet t’i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me ekipin këtë vit. I falënderoj lojtarët, që kanë bërë paraqitje mjaft të mira, stafin, që ka bërë punë mjaft të mirë, Federatën, që na mundësoi të punonim si ekip, dhe krejt Kosovën për mbështetjen”

Ndërkohë, ai ka folur edhe për vitin 2020, ku synon ta dërgojë ekipin kombëtar të Kosovës në Euro 2020.

Challandes ka folur për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut dhe për finalen eventuale. 

Atij i mbetet merak që këto dy ndeshje nuk do të zhvillohen në Kosovë, ku thotë se ka atmosferë të jashtëzakonshme.

“Jam i dëshpëruar që dy ndeshjet e ardhshme do t’i luajmë jashtë, e jo në Kosovë. Mbështetja ka qenë mjaft e madhe, ka qenë nder për ne të punoja këtu në Kosovë, njerëz të shkëlqyeshëm. Nuk mund të premtoj rezultate. Jam i sigurt se ky ekip do të japë gjithçka që është e mundshme për ta arritur kualifikimin. Ne i ëndërrojmë kualifikimet. Ne kemi mundësi të shkojmë në Euro 2020 nëse e fitojmë Ligën e Kombeve. Ne e kemi fituar grupin tonë, tash duhet ta fitojmë krejt ligën. Duhet të luftojmë deri në minutën e fundit. Maqedonia e Veriut nuk është një kundërshtar i lehtë. Ne do të jemi gati për këtë lojë. Shpresoj të shkojmë në finale dhe të jemi edhe atje të suksesshëm”, përfundoi Challandes.

(Kosova Sot Online)