Emery sqaron pse s’ia besonte një vend në formacion Ozilit

  • 21 December 2019 - 08:36
Emery sqaron pse s’ia besonte një vend në formacion Ozilit

Unai Emery ka thënë se Mesut Ozili nuk i kishte cilësitë e nevojshme për stilin e lojës që ai dëshironte ta implementonte në Arsenal, përkundër që e ka pranuar se mesfushori gjerman me origjinë turke ka “talent brilant”.

Pas 18 muajve në krye të skuadrës së Arsenalit, Unai Emery u shkarkua dhe të premten Arsenali nënshkroi marrëveshje me zëvendësuesin permanent të tij , Mikel Arteta, për tre vjet e gjysmë.

Sfida e parë për Artetan do të jetë ta nxjerrë më të mirën nga Ozili, pasi që Arteta e fitoi reputacionin si talent i madh si trajner gjatë kohës sa ishte ndihmëstrajner i Pep Guardiolës në Manchester City.

Ozili u la anash gjatë kohës së Emerys në klub dhe, në intervistën e tij të fundit, spanjolli sugjeroi se ai kishte shpresuar fillimisht se do të mundë ta përdorte Ozilin në fazën e sulmit, mirëpo kjo gjë iu pamundësua.

“Kam pasur shumë biseda me Ozilin. Ai është lojtar i rëndësishëmnë skuadër. Ka disa ndeshje ku ti e sheh brilancën e Ozilit, në lidhjet me sulmin. Por, unë duhet t’i gjeja edhe lojtarët përreth tij që ai të ndihej rehat”, ka thënë Emery për BBC.

“Gjithashtu, skuadra kishte nevojë të ndihej e fortë. Dhe kur fillon ta ndërtosh një skuadër që është agresive dhe bën presion… ne duhej t’i gjenim vend edhe Mesutit pasi që ai na e sillte një pjesë të rëndësishme në lojën tonë, që ishte talenti i tij brilant”.

“Për ta bërë këtë, duhet t’i gjeja lidhjet e duhura mes lojtarëve, taktikat e duhura. Unë isha i motivuar ta bëj këtë. Por, nganjëherë detyrohesh ta lësh njërin prej tyre jashtë formacionit. Ozili është shumë i rëndësishëm nëse mund ta gjej një mënyrë që të funksionoj edhe me lojtarët e tjerë”.

“Ai e ka talentin që ua mundëson edhe lojtarëve të tjerë të jenë më të mirë, por kur dëshiron presion më agresiv nga skuadra jote, ai nuk i ka cilësitë më të mira për këtë gjë”.

(Kosova Sot Online )