Zbulohet arsyeja pse Real Madridit s’iu referua penallti në El Clasico

  • 21 December 2019 - 08:56
Zbulohet arsyeja pse Real Madridit s’iu referua penallti në El Clasico

Gjyqtari Alejandro Hernandez Hernandez raportohet se kishte marrë udhëzime të veçanta se si ta referojë El Clasicon e së mërkurës në Camp Nou, ku Barcelona dhe Real Madridi u ndanë me barazim pa gola.

Los Blancos ishin të bindur se atyre duhej t’iu ishin akorduar dy penallti për dy ndërhyrje në Raphael Varane gjatë ndeshjes kundër Barcelonës, megjithatë asnjëra prej tyre nuk u referua dhe ndeshja përfundoi pa gola.

Sipas Juan Carlos Riveros, drejtorit dhe prezantuesit të “Estudio Estadio” në Teledeporte, gjyqtari ishte informuar para ndeshjes se si të referojë gjatë 90 minutave të lojës në Camp Nou.

“Ne kemi informata për gjyqtarin e ndeshjes mes Barcelonës dhe Real Madridit, Hernandez Hernandez, të cilit iu dhanë disa udhëzime shumë të rëndësishme para ndeshjes”, tha Rivero.

“E para ishte që të akordonte penallti vetëm nëse ishte e pamohueshme, duhej të ishte e qartë 100 për qind”.

“Këshilla e dytë ishte që të ishte shumë i kujdesshëm me kartonët e dytë të verdhë. Kështu që, nëse e ndëshkonte një lojtar me karton të dytë të verdhë, duhej të ishte për ndonjë ndërhyrje shumë të ashpër, të ndëshkueshme edhe me të kuq”.

Real Madridi ishte shumë i zhgënjyer që s’iu akordua asnjëra penallti – as për ndërhyrjen e Clement Lenglet në Raphael Varanen e as për mënyrën se si Ivan Rakitici e kishte tërhequr për fanelle francezin.

(Kosova Sot Online )