Mourinho thumbon Arsenalin për emërimin e Artetas: Mund të qeshim të gjithë

  • 21 December 2019 - 10:31
Mourinho thumbon Arsenalin për emërimin e Artetas: Mund të qeshim të gjithë

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, e ka thumbuar Arsenalin për vendimin për ta emëruar trajner Mikel Artetan, duke thënë se klubet tani mendojnë se kandidatët më të mirë janë ata pa asnjë disfatë e jo ata me më së shumti fitore.

Pas shkarkimit të Unai Emeryt nga posti i trajnerit dhe dështimit të trajnerit të përkohshëm, Freddie Ljunbergut, për t’i përmirësuar rezultatet dhe paraqitjet, Arsenali e ka emëruar trajner Mikel Artetan.

37-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2023 dhe do të prezantohet në një konferencë për shtyp si trajneri i ri i Arsenalit në stadiumin Emirates të premten pasdite.

Arteta i kishte kaluar pesë vjet me Topçinjtë si futbollist gjatë viteve 2011 dhe 2016, duke i fituar dy tituj të FA Cup, para se të pensionohej dhe ta fillonte karrierën si trajner e ndihmëstrajner.

Ai vjen në Arsenal nga Manchester City, ku ka punuar si ndihmëstrajner i Pep Guardiolës për tre vjetët e fundit.

“E vetmja pikë që unë mund ta gjej për të folur, me të cilën mund të qeshim të gjithë, është se para disa viteve trajneri më i mirë ishte ai me më së shumti fitore, ndërsa tani është ai me më së paku disfata”.

“Ancelotti i ka tri Liga të Kampionëve, e ka fituar ligën në Itali, Francë e Angli dhe ka fituar edhe kupa në këto vende, por Ancelotti duhet t’i ketë humbur rreth 200 ndeshje. Mendoj se tani s’ka rëndësi sa ke fituar, ka të bëjë me ndeshjet që s’i kemi humbur. Tani, trajnerët më të mirë vlerësohen ata me më pak disfata. S’mund të gjej arsye tjetër”.

Arteta udhëtoi në Liverpool mbrëmë për t’iu bashkuar skuadrës së Arsenalit para ndeshjes të së shtunës kundër Evertonit, që do të zhvillohet në Goodison Park.

(Kosova Sot Online)