Synimi i fundit i Messit për vitin 2019: Golashënuesi i vitit

  • 21 December 2019 - 16:03
Synimi i fundit i Messit për vitin 2019: Golashënuesi i vitit

Barcelona do ta mbyllë vitin kalendarik 2019 me një ndeshje në shtëpi kundër Alavesit të shtunën pasdite dhe kapiteni i klubit katalonas, Lionel Messi, synon ta arrijë një tjetër rekord në këtë ndeshje.

Sot Lionel Messi mund ta mbyllë vitin kalendarik si golashënuesi më i mirë në futbollin evropian për vitin 2019.

Për momentin, ai e kryeson këtë listë me 33 golat e tij të shënuara në La Liga që nga fillimi i këtij viti kalendarik, mirëpo forma e mirë e Robert Lewandowski ka bërë që polaku t’i bëjë presion argjentinasit.

Edhe polaku do ta luajë sot ndeshjen e fundit për vitin 2019 dhe menjëherë pak ndeshjes do të bëhet operacion. Nëse ai arrin t’i shënojë sot dy gola në ndeshjen kundër Wolfsburgut do të barazohet me Messin në 33 gola.

Kylian Mbappe është katër gola prapa argjentinasit, përderisa Jamie Vardy i Leicester Cityt e ka shijuar gjithashtu një fillim mbresëlënës të këtij sezoni 2019/20 dhe tani është vetëm pesë gola larg fituesit të Topit të Artë.

Messit do t’i ndihmonte ta siguronte epitetin e golashënuesit më të mirë të vitit 2019 nëse ai do të arrinte të shënonte të paktën një herë në Camp Nou të shtunën pasdite, veçanërisht pasi që ai nuk arriti të shënojë kundër Real Sociedadit dhe Real Madridit në dy ndeshet e fundit.


(Kosova Sot Online)