“Ta kesh Messin është përparësi, ai shfaqet papritmas dhe shënon nga kudo”

  • 22 December 2019 - 08:53
“Ta kesh Messin është përparësi, ai shfaqet papritmas dhe shënon nga kudo”

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, e ka lartësuar superyllin e skuadrës së vet, Lionel Messin, duke thënë se ai është në gjendje të shfaqur në çdo moment dhe të shënojë kur ekipi ka nevojë më së shumti.

Messi shënoi një gol të mrekullueshëm, edhe pse i rrethuar nga gjashtë futbollistë, në fitoren 4:1 të Barcelonës kundër Alavesit të shtunën në Camp Nou, duke i ndihmuar katalonasve t’i fitojnë tri pikët dhe ta mbyllin vitin 2019 si liderë të La Ligës.

Valverde e lavdëroi Messin pas ndeshjes, duke e pranuar se ta kesh argjentinasin në skuadër është përparësi e madhe. 

“Ta kesh Messin është përparësi e madhe. Leo shfaqet në çdo moment dhe shënon gol nga çdo kund”, tha Valverde.

Messi e regjistroi golin e 250 në Camp Nou në ndeshjet e La Liga dhe të 50-tin në vitin 2019 për Barçën dhe Argjentinën.

Kjo nënkupton se 32-vjeçari i ka shënuar 50 apo më tepër gola në nëntë nga 10 vitet e fundit.

(Kosova Sot Online)