Milani përjeton turpin më të madh nga skuadra e shqiptarit

  • 22 December 2019 - 14:25
Milani përjeton turpin më të madh nga skuadra e shqiptarit

Atalanta i ka shkaktuar një humbje të thellë Milanit teksa e ka mposhtur me rezultat 5-0.

Vendasit të përkrahur nga tifozët e zjarrtë të pranishëm në numër të madh e nisën që nga fillimi ndeshjen më mirë.

Ishte minuta e 10-të e ndeshjes kur kapiteni Alejandro Gomez shënoi një gol shumë të bukur për ta kaluar skuadrën e tij në epërsi 1-0.

Vendasit rrezikuan edhe tri herë portën e mysafirëve në 45 minutat e para me Ilicic, Pasalic e Gomez, por rezultati mbeti i pandryshuar 1-0.

Edhe pjesa e dytë i takoi komplet vendasve, të cilët shënuan edhe katër gola të tjerë.

Mario Pasalic ngriti epërsinë në 2-0 pas asistimit nga Gosens në minutën e 61-të.

Vetëm dy minuta më vonë Josip Ilicic shënoi për ta ngritur epërsinë në 3-0 dhe për t’i dhënë fund ëndrrës së Milanit që të marrë pikë në udhëtim.

Sulmuesi slloven nuk u ndal dhe në minutën e 72-të realizoi një gol spektakolar për 4-0.

Krejt në fund listës së golashënuesve iu shtua edhe kolumbiani Luis Muriel që shënoi në minutën e 83-të, tre minuta pas inkuadrimit në lojë.

Në këtë takim për vendasit titullarit ishte mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti që pati paraqitje fantastike.

Atalanta pas kësaj fitore ngritët në pozitën e pestë në tabelë me 31 pikë të tubuara dhe ka sulmin më të mirë në Serie A me 43 gola të shënuar.

Ndërkohë Milani mbetet e 10-ta në tabelë me vetëm 21 pikë pas 17 xhirove.

(Kosova Sot Online)