Superkupa e Italisë: Juventus – Lazio

  • 22 December 2019 - 16:58
Superkupa e Italisë: Juventus – Lazio

Për të katërtën herë në shtatë vitet e fundit Superkupa e Italisë do të luhet ndërmjet Juventusit dhe Lacios, e ashtu si edhe në edicionin e kaluar kjo sfidë do të mbahet në Arabinë Saudite.

11 muaj më herët në Jeddah përpara 61.000 spektatorëve “bardhezinjtë” ngritën trofeun duke mposhtur Milanin falë një goli të yllit të ekipit Cristiano Ronaldo, pas një ore lojë, ndërsa këtë herë finalja e edicionit të 32 të Superkupës së Italisë do të zhvillohet në kryeqytetin e vendit, Riad.

Përveçse kampione në fuqi “zonja e vjetër” është gjithashtu edhe skuadra më e suksesshme e këtij kompeticioni, teksa e ka fituar plot 8 herë në historinë e klubit, ndërsa ekipi kryeqytetas e ka ngritur këtë trofe 4 herë, por sidoqoftë “bardhekaltërit” kanë humbur tre finale në historinë e këtij aktiviteti, e dy prej këtyre disfatave i janë shkaktuar pikërisht nga Juventusi, në 2013 4-0 brenda në Olimpico dhe në 2015 në Shanghai me shifrat 2-0.

(Kosova Sot Online)