Milani ia ndryshon kushtet Ibrahimovicit

  • 24 December 2019 - 11:17
Milani ia ndryshon kushtet Ibrahimovicit

Zlatan Ibrahimovic është më pranë së kurrë të kthehet në Milan, pasi kuqezinjtë i kanë ndryshuar kushtet për zgjatjen e kontratës së suedezit, e cila nuk do të varet nga kualifikimi i skuadrës në Evropë, pro nga paraqitjet e sulmuesit.

Sulmuesi veteran është lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me La Galaxy mbaroi pas përfundimit të sezonit në MLS.

Bisedimet ishin ndërprerë javën e kaluar, por duket se tani kanë filluar përsëri.

Sipas gazetave italiane Gazzetta dello Sport dhe Correire della Sera, Milani i ka ofruar Ibrahimovicit kontratë gjashtëmujore me opsion për ta zgjatur atë automatikisht për edhe një sezon.

Për dallim nga plani fillestar për zgjatjen e kontratë varësisht nga kualifikimi i skuadrës në Ligën e Kampionëve apo Ligën e Evropës, propozimi i ri i kuqezinjve është që 38-vjeçarit t’i vazhdohet kontrata vetëm bazuar në paraqitjet e tij dhe statistikat e golave.

Milani shpreson se do të marrë përgjigje në ditët në vazhdim dhe ta ketë suedezin në qendrën stërvitore Milanello nga 30 dhjetori.

(Kosova Sot Online)