Blick: A po mundohet Kosova t’ia vjedhë Zvicrës makinën e golave Zeqirin?

  • 24 December 2019 - 14:47
Blick: A po mundohet Kosova t’ia vjedhë Zvicrës makinën e golave Zeqirin?

Duket se zviceranët janë të brengosur se sulmuesi i talentuar Andi Zeqiri do ta braktisë vendin e lindjes, Zvicrën, për vendin e prejardhjes, Kosovën.

I lindur në Lausanne nga prindër me prejardhje nga Kosova, 20-vjeçari u fotografua në një hotel me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një kohë kur po shkëlqen për klubin e tij Lausanne.

Zeqiri është duke e përfaqësuar ekipin kombëtar U21 të Zvicrës, për të cilin i ka shënuar gjashtë gola në shtatë paraqitje, dhe është në rrugë të mirë për ta dërguar atë në Kampionatin Evropian U21.

Ai shkëlqeu në veçanti në fitoren e Zvicrës 3:1 ndaj Francës, duke i shënuar dy nga tri golat e triumfit.

Takimi, i cili sipas të përditshmes zvicerane ishte i rastësishëm bazuar në komentet e babait të futbollistit, megjithatë i ka alarmuar zviceranët që kanë frikë se do ta humbasin një makineri golash siç është Zeqiri.

Zeqiri, i cili luan me të dy këmbët, i ka shënuar 16 gola në 21 ndeshje këtë sezon për Lausanne deri tani këtë sezon.

(Kosova Sot Online)