“Lojtar si Messi mund të mos shohim kurrë më” – Griezmann i mahnitur nga argjentinasi

  • 26 December 2019 - 12:07
“Lojtar si Messi mund të mos shohim kurrë më” – Griezmann i mahnitur nga argjentinasi

Sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann, druhet se bota e futbollit mund të mos e shoh më asnjë lojtar si bashkëlojtari i tij, Lionel Messi, cilësitë e të cilit i ka lartësuar në një intervistë për UEFA-n.

Ylli francez iu bashkua Barçës së Messit në verë, pasi klubi katalonas i pagoi plot 120 milionë euro në klauzolën e lirimit të tij, dhe tani po e shijon një stil të ri të futbollit përkrah argjentinasit.

Në fillim pati thashetheme se Messi dhe Griezmann kishin vështirësi ta krijonin një lidhje në ditët e para të kampionit të Botës në klubin katalonas. Por Messi nuk vonoi dhe i hodhi poshtë ato.

I pyetur në një intervistë nga UEFA se cilat ishin mbresat e para që Messi ia kishte lënë pas kalimit në Camp Nou, Griezmann e zbuloi admirimin dhe respektin për 32-vjeçarin.

“Po flasim për një lojtar të cilin mund të mos e shohim kurrë më, apo një të cilin ke mundësi ta shohësh vetëm çdo 40 vjet”, tha Griezmann.

“Duhet patjetër ta shfrytëzojmë faktin që e kemi Messin, qoftë si bashkëlojtarë, si tifozë në stadium apo si trajnerë të tij”, shtoi ai.

“Çfarë bën Messi me topin është e jashtëzakonshme dhe është mrekulli ta shohësh duke luajtur dhe të luash përkrah tij”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)