Skautët e Man Utd e Tottenhamit e vëzhguan Muriqin në derbi me Besiktasin

  • 26 December 2019 - 15:49
Skautët e Man Utd e Tottenhamit e vëzhguan Muriqin në derbi me Besiktasin

Sulmuesi kosovar po shkëlqen në fanellën e Fenerbahçes dhe paraqitjet e tij po i vëzhgojnë me sukses klubet e mëdha evropiane.

Vedat Muriqi po vazhdon të vëzhgohet nga klubet e mëdha evropiane.

Futbollisti kosovar po shkëlqen në fanellën e Fenerbahçes, me të cilën i ka realizuar 10 gola këtë sezon.

Sulmuesi prizrenas ishte protagonist edhe në derbin e Stambollit, ku shënoi gol në fitoren e Fenerbahçes ndaj Besiktasit.

Dhe, e përditshmja turke “Sabah” shkruan se në ndeshjen e fundjavës që shkoi, të pranishëm në stadium ishin edhe skautët e Manchester Unitedit dhe Tottenhamit, dy klubet angleze që e duan përfaqësuesin kosovar.

Dy klubet e Premierligës e kishin vëzhguar 25 vjeçarin edhe në muajt e fundit, ku Muriqi ka shënuar gola vazhdimisht.

Raportohet se ish-futbollistin e Rizesporin e kanë vëzhguar edhe dy klubet italiane, Lazio e Juventus.

Fenerbahçe është duke rezistuar për momentin pasi nuk dëshiron ta shesë yllin e tij të ri menjëherë në janar, gjashtë muaj pasi e kishte blerë.

Klubi nga Stambolli është në kërkim të titullit të kampionit në Turqi dhe pa Muriqin e sheh të vështirë ta arrijë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, gjërat mund të ndryshojnë në fund të sezonit, kur edhe Muriqi mund të largohet nga Turqia për t’iu bashkuar një klubit të ri.

Ai ka kontratë me Fenerbahçen deri në qershor të vitit 2023.

(Kosova Sot Online)