Ylli i Barçës, De Jong e pranon: Premierliga është më e fortë se La Liga

  • 29 December 2019 - 09:40
Ylli i Barçës, De Jong e pranon: Premierliga është më e fortë se La Liga

Ylli i Barcelonës, Frenkie de Jong, beson se Premierliga angleze është një nivel më lart se La Liga, për shkak të intensitetit shumë të lartë të lojës.

De Jong është duke e shijuar një fillim të shkëlqyeshëm të jetës në ligën elitare spanjolle, pasi iu bashkua Barçës nga kampioni i Eredivisie, Ajax, gjatë verës së kaluar.

Për 22-vjeçarin u përfol se do t’i bashkohej kampionit të Premierligës, Manchester City, para se ta kompletonte kalimin në Barcelonë për 75 milionë euro.

Mesfushori holandez e pranon se dikur kishte menduar se La Liga ishte liga më e fortë në botë.

“Dikur mendoja se La Liga ishte liga më e fortë e futbollit në botë. Mund ta shihnit nga dominimi i klubeve spanjolle në garat evropiane”, tha De Jong. 

“Klubet spanjolle gjithmonë shkonin larg në gara dhe shpesh edhe i fitonin trofetë kryesorë, si Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës”, shtoi ai.

“Por, Premierliga është bërë e fortë gjatë viteve të fundit. La Liga është më e mirë për cilësitë e pastra të lojtarëve. Ama për shkak të intensitetit shumë të lartë, Premierliga është në një nivel më të lartë”, theksoi ai.

De Jong e ka shënuar një gol dhe ka asistuar dy herë në 18 ndeshje për lideren e La Ligës, Barçën, këtë sezon.

(Kosova Sot Online)