Vetëm 5 milionë euro e ndajnë Granit Xhakën nga largimi prej Arsenalit

  • 29 December 2019 - 10:06
Vetëm 5 milionë euro e ndajnë Granit Xhakën nga largimi prej Arsenalit

Granit Xhaka është buzë largimit nga Arsenali, peng i pesë milionë eurove më shumë që klubi i tij i kërkon në ofertën e Hertha Berlinit për ta lejuar mesfushorin shqiptar të largohet në janar.

Mundësitë që Xhaka të luajë përsëri për Arsenalin janë shumë të vogla, duke e parë dëshirën e vetë futbollistit për t’u larguar pas zënkës me tifozët që i kushtoi me humbjen e shiritit të kapitenit muaj më parë.

Por, klubi nga Londra Veriore nuk dëshiron ta lëshojë përfaqësuesin e Zvicrës të largohet për më pak se 40 milionë euro. 

Hertha Berlin i ka ofruar 35 milionë euro për Xhakën, pesë më pak seç kërkon Arsenali, një shumë jo e madhe që është pengesa e vetme për arritjen e marrëveshjes për kthimin e 28-vjeçarit në Bundesligë.

Trajneri i ri i “Topçinjve”, Mikel Arteta, e ka bërë të qartë se sa shumë e vlerëson shqiptarin, duke theksuar se para pak vitesh e donte në Manchester City.

Por menaxheri i Xhakës, Jose Noguera, zbuloi se ish-ylli i Baselit dhe Borussia Monchengladbach ka arritur marrëveshje me Hertha Berlin dhe se tani i mbetet vetëm klubeve të pajtohen për transferimin e tij.

Prandaj tani u takon dy klubeve të arrijnë marrëveshje për shumën e transferimit të Xhakës, i cili sot mund ta luajë ndeshjen e fundit në fanellën e Arsenalit, në derbin e Londrës kundër Chelseat në Premierligë.

(Kosova Sot Online)