Duka thotë t’ia ketë ofruar drejtimin e Kombëtares Besnik Hasit

  • 30 dhjetor 2019 - 09:55
Duka thotë t’ia ketë ofruar drejtimin e Kombëtares Besnik Hasit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, ka zbuluar se ia kishte ofruar mundësinë Besnik Hasit për ta drejtuar ekipin kombëtar shqiptar, para se të mbërrinte Gianni de Biasi.

Prej thuajse 20 vitesh, kombëtarja shqiptare e futbollit nuk drejtohet nga një trajner vendas.

Kjo ka krijuar shumë pakënaqësi tek tifozët shqiptarë të futbollit, ku sa herë që kjo pozitë është boshe, sugjerojnë emra të trajnerëve shqiptarë.

Ilir Daja është njëri prej tyre, teksa kreu i FSHF-së, Armand Duka zbuloi se para mbërritjes së Gianni de Biasit në Shqipëri, ia ofroi ekipin kombëtar shqiptar, Besnik Hasit.

Megjithatë, në intervistën ekskluzive në Rtv Ora, Duka ka shtuar se të ardhmes nuk i dihet dhe mund t’ia besojë shumë shpejt pankinën e kombëtares një shqiptari.

“Para se të vinte De Biasi ne pothuajse ia kemi ofruar ekipin kombëtar, Besnik Hasit. Madje ishim në përfundim të marrëveshjes, por në atë kohë, Anderlecht i ofroi stolin e ekipit të parë dhe preferoi të qëndrojë në Anderlecht. Ky është një argument për të thënë se ne kemi menduar për trajner shqiptar. Kam menduar edhe për emra të tjerë, madje edhe kam diskutuar, por megjithatë kemi vendosur për këto emra”, tha Duka.

“Nuk mund të them se nuk do të ketë një trajner shqiptar në ekipin kombëtar. Pa përmendur emra, ka trajnerë të mirë shqiptarë që punojnë shumë mirë. Ka nga ata që punojnë, lexojnë, studiojnë, janë zhvilluar. Ka nga ata që janë ekspertë që nuk lexojnë asgjë dhe koha i lë mbrapa si në çdo ambient dhe në komunitet tjetër. Jo vetëm Ilir Daja, por edhe shumë emra të tjerë mund të jenë të aftë të drejtojnë ekipin kombëtar”, tha Duka.

(Kosova Sot Online)