Barcelona e mohon se ka arritur marrëveshje me Milanin për talentin 20-vjeçar

  • 31 December 2019 - 13:53
Barcelona e mohon se ka arritur marrëveshje me Milanin për talentin 20-vjeçar

Barcelona i ka mohuar lajmet se talenti i saj Jean-Clair Todibo është buzë kalimit në Milan. Sipas burimeve të Mundo Deportivos, gazetës së afërt me klubin katalonas, Barça nuk ka arritur marrëveshje me kuqezinjtë për 20-vjeçarin.

Gazeta italiane Gazzetta dello Sport raportoi mëngjesin e sotëm se Barça dhe Milani ishin pajtuar për huazimin e Todibos te kjo e fundit, me mundësi për blerje përfundimtare për 20 milionë euro dhe se mbrojtësit i kishte mbetur vetëm ta nënshkruajë marrëveshjen.

Megjithatë, Mundo Deportivo thotë se burime brenda kampionit spanjoll i kanë thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje me Milanin për Todibon.

E përditshmja katalonase shkruan se Milani është vetëm njëri nga pesë klubet që kanë bërë ofertë për mbrojtësin.

Dëshira e lojtarit është të qëndrojë në Barcelonë dhe të luftojë për një vend në formacion, por një takim pritet të mbahet mes menaxherit të tij dhe klubit për të vendosur për të ardhmen e tij.

Mundo shton se Barça, në këtë kohë, është e përgatitur vetëm ta huazojë Todibon, me synim për ta kthyer në klub apo për ta shitur më vonë. 

(Kosova Sot Online)