Juve triumfon në Serie A, Lazio në Kupë dhe Superkupë

  • 31 December 2019 - 19:32
Juve triumfon në Serie A, Lazio në Kupë dhe Superkupë

“Bianconeri” e fituan titullin e tetë radhazi të kampionit në Serie A, shkëlqyen edhe “Biancocelesti”.

Juventusi e ka vazhduar dominimin në futbollin italian edhe në vitin 2019. “Bianconeri” gjatë vitit që e lamë pas e kanë fituar titullin e tetë radhazi të kampionit në Serie A.

Juve e bëri historinë pasi nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që një ekip të shpallet 8 herë kampion në ligat më të forta evropiane.

Bardhezinjtë e mbyllën sezonin me 90 pikë, ndërsa në vend të dytë përfundoi Napoli me 79.

Juventusi me këtë rast e fitoi titullin e 35-të të kampionit, duke i lënë shumë prapa dy rivalët, Milan e Inter, që kanë nga 18 Scudetto.

Krahas “Bianconeri”, vit mjaft pozitiv pati edhe Lazio. “Biancocelesti” i fituan dy trofe në vitin 2019.

Fillimisht, ata e mposhtën Atalantën në finale të Kupës së Italisë me rezultat 2:0, për ta fituar këtë trofe për herë të parë që nga viti 2013.

Golat për lazialët i kishin shënuar Sergej Milinkovic-Savic e Joaquin Correa në minutat e fundit të takimit.

Kjo ishte hera e shtatë që Lazio e fiton Coppa Italian nga 10 finale të zhvilluara.

Bardhekaltrit e fituan edhe Superkupën e Italisë. Ata e mundën Juventusin në muajin dhjetor me rezultat 3:1.

Golat për ekipin e Simone Inzaghit i shënuan Luis Alberto, Senad Lulic dhe Danilo Cataldi.

Kurse, golin e pamjaftueshëm për ekipin e Maurizio Sarrin e shënoi Paulo Dybala.

(Kosova Sot Online)