Vazhdon dominimi i Barçës në Spanjë

  • 31 December 2019 - 20:18
Vazhdon dominimi i Barçës në Spanjë

Gjiganti katalunas e dominoi një tjetër sezon në La Liga duke e fituar titullin e 26-të të kampionit në histori.

Barcelona e vazhdoi dominimin në futbollin spanjoll edhe në vitin 2019. Gjiganti katalunas e fitoi titullin e kampionit në La Liga pas sigurisë që e shfaqi në edicionin e fundit.

Lionel Messi me shokë e fituan titullin e dytë radhazi në kampionatin spanjoll.

Ndërkohë, Barça e siguroi titullin e 26-të të kampionit në histori të klubit.

Gjiganti katalunas e siguroi titullin më 27 prill pasi e mundi Levanten 1:0, tri ndeshje pa përfunduar sezoni 2018/19.

Me këtë rast, Barça e fitoi titullin e tetë në 11 sezonet e fundit në Spanjë.

Blaugrana e mbyllën sezonin paraprak me 87 pikë të grumbulluara, duke e lënë Atletico Madridin prapa me 9 pikë në fund.

Kurse, Reali përfundoi në pozitën e tretë në tabelë me 68 pikë.

Këtë sezon, ndërkohë, po bëhet luftë e ashpër për titull kampioni në mes të Barçës së Ernesto Valverdes dhe Realit të Zinedine Zidanet.

Ndërkohë, Barça nuk arriti ta fitonte edhe trofeun e dytë sezonal.

Në fakt, Copa del Rey, respektivisht Kupa e Mbretit në Spanjë i takoi Valencias.

Klubi nga “Mestalla” e mposhti pikërisht Barcelonën në finalen e 26 majit me rezultat 2:1

Goli i Leo Messit ishte i pamjaftueshëm për Barçën pasi paraprakisht për Valencian kishin shënuar Gameiro dhe Rodrigo.

Ndërkohë, në fillim të janarit 2020 do të zhvillohet Superkupa e Spanjës, ku këtë radhë do të marrin pjesë katër ekipe.

Në gjysmëfinale do të luajnë Valencia – Real Madrid dhe Barcelona – Atletico Madrid.