Ekipi i vitit 2019

  • 01 January 2020 - 08:52
Ekipi i vitit 2019

Si zakonisht, FIFA e zgjodhi ekipin e vitit, në bazë të votave të mijëra futbollistëve profesionistë.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit e zgjodhi formacionin e vitit për 2019-shin.

Ekipi ideal i vitit u zgjodh si rezultat i votave të mijëra futbollistëve profesionistë nga mbarë bota.

Më të mirët e vitit u zgjodhën në Milan të Italisë më 23 shtator. Futbollistët u votuan në bazë të paraqitjeve individuale që i patën në sezonin 2018/19.

Në bazë të votave, në portë përfundoi portieri i Liverpoolit dhe Brazilit, Alisson Becker.

Në krahun e majtë u vendos Marcelo i Real Madridit dhe Brazilit. Në të djathtë zuri vend spanjolli i Realit, Sergio Ramos, edhe pse qe një kohë të gjatë ai luan si qendërmbrojtës.

Në qendër të mbrojtjes me plot meritë zuri vend sensacioni Matthijs de Ligt i Ajaxit dhe Holandës, i cili gjatë verës iu bashkua Juventusit.

Përkrah tij në zemër të mbrojtjes gjendet Virgil van Dijk, i cili ishte i pakalueshëm tek Liverpooli dhe Holanda.

Frenkie de Jong, një tjetër lojtar që shkëlqeu me Ajaxin, përfaqësues i Holandës, përfundoi në mesfushë.

Përkrah tij gjendet belgu i Chelseat, tash në Real Madrid, Eden Hazard, i cili me “Blues” e fitoi Europa Leaguen.

Fituesi i vitit të kaluar i Topit të Artë, kroati i Real Madridit, Luka Modric, e kompleton mesfushën.

E sulmi përbëhet nga tre “vrasës”. Cristiano Ronaldo nuk kish se si të mungonte në këtë ekip pas paraqitjeve me Juventusin dhe Portugalinë.

Edhe francezi Kylian Mbappe e pati një vit fantastik me Paris Saint-Germainin.

Kurse, ekipi ideal i vitit kompletohet me fituesin e Topit të Artë dhe futbollistin më të mirë të FIFA-s në botë për vitin 2019, argjentinasin e Barcelonës, Lionel Messi.


(Kosova Sot Online)