Toronto e shkroi historinë në NBA

  • 01 January 2020 - 09:27
Toronto e shkroi historinë në NBA

Klubi kanadez u shpall kampion i ligës më të fortë të basketbollit në botë për herë të parë në histori

Toronto e ka shkruar historinë në vitin 2019, shkruan Gazeta Express.

Klubi kanadez e fitoi titullin e kampionit për herë të parë në ligën më të fortë të basketbollit në botë.

Kampionët e Konferencës Lindore në finalen e madhe e mposhtën kampionin e Konferencës Perëndimore, Golden State Warriors 4-2 në serinë e ndeshjeve.

Kjo njëherësh ishte hera e parë që një klub që e ka bazën jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës e fitoi titullin e kampionit në NBA.

Duke e pasur parasysh kontributin e madh që e dha për Raptors, Kawhi Leonard u zgjodh MVP i finaleve për herë të dytë në karrierë.

Kjo ishte hera e parë që Toronto mori pjesë në finale të NBA-së

Përparësia e terrenit vendës i shpërbleu Raptors, të cilët e mbyllën sezonin e rregullt me më shumë fitore, 58 fitore e 24 humbje karshi Golden State, që patën 57 fitore e 25 humbje.

Kjo ishte hera e parë që pesë herë radhazi finalisti i NBA-së nuk e pati avantazhin e terrenit vendës.

Po ashtu, për herë të parë në katër sezonet e fundit, Warriors nuk u përballën në fazën finale me Cleveland Cavaliers.

Kjo ishte hera e parë që nga viti 2010 që në finale nuk u përfshi LeBron James, i cili kishte luajtur në tetë finalet e fundit me Clevelandin dhe Miamin. 


(Kosova Sot Online)