Legjenda Messi rikthen dominimin në futbollin botëror

  • 01 January 2020 - 12:35
Legjenda Messi rikthen dominimin në futbollin botëror

Ylli argjentinas vendosi rekorde të reja në vitin 2019 pasi e fitoi çmimin “Futbollisti më i mirë i FIFA-s” dhe “Topin e Artë”. Gjithashtu, u shpall kampion i Spanjës me Barcelonën

Viti 2019 ishte viti i Lionel Messit.

Ylli argjentinas e riktheu dominimin në futbollin botëror duke i fituar dy çmimet kryesore të vitit në aspektin individual.

32 vjeçari u shpall futbollisti më i mirë në botë nga FIFA për herë të gjashtë në karrierë, një rekord absolut.

“Pleshti” i la prapa” mbrojtësin e Liverpoolit, Virgil van Dijk dhe pesë herë lojtarin e vitit të FIFA-s, Cristiano Ronaldo.

“Për mua, çmimet individuale janë sekondare. Të rëndësishme janë triumfet kolektive, por kjo natë është speciale. Do të dëshiroja ta falënderoja secilin që ka votuar për mua. Jam i lumtur që këtu gjende edhe familja ime, gruaja dhe djali”, ka thënë Messi pasi e fitoi këtë çmim.

Përfaqësuesi argjentinas më pas e fitoi edhe çmimin prestigjioz “Topi i Artë”, po ashtu për herë të gjashtë në karrierë, një rekord tjetër ky.

Edhe në këtë rast, Messi e mposhti konkurrentin kryesor, holandezin Van Dijk.

“Dua t’i falënderoj të gjithë gazetarët që kanë votuar për mua, që donin që unë ta fitoja këtë çmim, faleminderit shumë. Faleminderit edhe lojtarëve, skuadrës sime. Ata kanë kontribuar shumë për këtë çmim që unë kam fituar, i falënderohem vërtetë shumë. Më kujtohet momenti i parë në Paris, me vëllezërit e mi, kur e fitova topin e Parë, ishte magjike, s’e kisha menduar, sidomos pasi u ktheva ta fitojë disa herë”, kishte thënë Messi pasi e fitoi Topin e Artë.

Paraqitjet e mira individuale në vitin 2019 e shpërblyen Messin, i cili e fitoi titullin e kampionit në La Liga.

Leo i kishte zhvilluar 50 ndeshje në të gjitha garat në edicionin 2018/19, ku kishte shënuar 51 gola dhe kishte dhuruar 22 asistime.

Ai synon të jetë i suksesshëm edhe në vitin 2020, duke fituar titullin në Spanjë dhe Ligën e Kampionëve.

(Kosova Sot Online)