Mourinho pas ndëshkimit: E meritova, por isha i pasjellshëm me një idiot

  • 02 January 2020 - 08:37
Mourinho pas ndëshkimit: E meritova, por isha i pasjellshëm me një idiot

Jose Mourinho e ka pranuar se ishte treguar, siç ka thënë, i pasjellshëm por i pasjellshëm me një idiot, pasi u ndëshkua me karton të verdhë për një kacafytje me trajnerin e portierëve të Southampton, Andrew Sparks.

Gjyqtari Mike Dean i dha karton të verdhë Mourinhos pas zënkës në pjesën e dytë, kur portugezi kishte shkuar te banka rezervë e Southamptonit, i pakënaqur me vonesat dhe kohën e tej zgjatur nga kjo e fundit për ta kryer një zëvendësim.  

Southamptonit iu desh shumë kohë për ta zëvendësuar Danny Ings, i cili e shënoi golin e fitores 1:0 ndaj Tottenhamit, me Michale Obafemi në minutën e 76-të, duke e zemëruar Mourinhon, skuadra e të cilit ishte në kërkim të shmangies së humbjes. 

I pyetur për incidentin pas ndeshjes, Mourinho tha se e pranon vendimin e gjyqtarit për ta ndëshkuar atë me karton të verdhë.

“Mendoj se kartoni i verdhë ishte i drejtë, sepse isha i pasjellshëm, por i pasjellshëm me një idiot. Për disa arsye, isha i pasjellshëm dhe e meritoj kartonin e verdhë sepse isha i tillë”, tha Mourinho.

“I shkëmbeva disa fjalë të këqija me atë person. I pata arsyet e mia, por nuk jua them dot përse”, shtoi ai.

Tottenhami nuk e shfrytëzoi rrëshqitjen e Chelseat për t’iu afruar edhe më pranë top katërshes në Premierligë, dhe tani ngel pesë pikë prapa zonës që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)