Lampard e pranon: Giroud mund të largohet në janar

  • 06 January 2020 - 13:44
Lampard e pranon: Giroud mund të largohet në janar

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, e ka pranuar se Olivier Giroud mund të largohet nga klubi londinez gjatë afatit kalimtar të janarit.

Olivier Giroud i ka bërë vetëm shtatë paraqitje në të gjitha garat për Chelsean këtë sezon, ndërsa në vetëm dy ndeshje ka qenë titullar për të Kaltrit.

Francezi e gjen veten në skuadrën e Chelseat si opsion të tretë pas Tammy Abraham dhe Michy Batshuayit, përderisa i kanë mbetur vetëm edhe gjashtë muaj në kontratën e tij aktuale në Stamford Bridge.

33-vjeçari ishte lënë në stol për fitoren me rezultat 2:0 të Chelseat kundër Nottingham Forestit në rundin e tretë të FA Cup të dielën, mirëpo ai doli në fushë pas ndeshjes për t’i përshëndetur tifozët – veprim që u vlerësua si lamtumirë.

Lampardi raportohet se është në kërkim të një sulmuesi të ri në afatin kalimtar të janarit – përflitet për Moussa Dembelen, Jadon Sanchon ose Wilfred Zahan – dhe kjo i rrit edhe më shumë gjasat e largimit të Giroud.

“Nuk kam asnjë lajm të ri për Ollien, por unë kam folur me të. Nëse rrethanat janë ashtu siç i dëshiron ai dhe oferta është mjaftueshëm e mirë edhe për klubin, për mua dhe për skuadrën, atëherë shitja mund të ndodhë”, ka thënë Lampardi.

“Por, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse çdo problem zgjidhet. Kështu që duhet të presim për ta parë nëse do të jemi aty”. 

(Kosova Sot Online)