Dembele e pëlqen një fotografi ku shihet në fanellë të Liverpoolit

  • 06 January 2020 - 16:01
Dembele e pëlqen një fotografi ku shihet në fanellë të Liverpoolit

Një përdorues në Instagram ka postuar një fotografi në llogarinë personale, në të cilën idhulli i tij, Ousmane Dembélé, është i veshur me fanellën e Liverpool-it.

Kjo foto është rezultat i një montazhi. Për më shumë, fotoja korespondon me festimin e njërit prej golave të Liverpool-it në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve, sezoni i shkuar, kur katalonasit u përmbysën turpshëm në “Anfield” (4-0) dhe u eliminuan po njësoj.

Në foton origjinale mund të shihni Wijnaldum, duke festuar golin e tij, ndërsa në atë të montuar, është vendosur koka e Dembele mbi të tijën.

Fotoja (montazhi) nuk do të kishte shumë rëndësi, nëse nuk do të ishte vetë futbollisti i Barcelonës, ai që i ka dhënë “like”.

Me siguri, ky veprim i tij do t’i shtojë polemikat rreth francezit, ndërkohë që mesazhe të të gjitha llojeve janë publikuar mbi foton në fjalë.

Nga njëra anë ka tifozë të ofenduar të Barcelonës, sepse lojtari pëlqeu një foto, që simbolizon dështimin e madh të sezonit të kaluar në Champions. Sidoqoftë, në anën tjetër janë tifozët e Liverpool, të ngazëllyer që Dembélé përfundon duke veshur fanellën e kuqe, edhe pse në këtë rrjet social.

Mbase montazhi do të bëhet realitet në të ardhmen, duke e ditur që prej kohësh, “Reds” janë të interesuar për talentin e Barçës. Në çdo rast, fotomontazhi nuk duket se e ka lënë askënd indiferent.


(Kosova Sot Online)