Trajneri i Bremenit tregon se si po e nxjerr më të mirën nga Rashica

  • 07 January 2020 - 14:22
Trajneri i Bremenit tregon se si po e nxjerr më të mirën nga Rashica

Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt, ka bërë të ditur se ai është i vetëdijshëm se kundërshtarët i kushtojnë më shumë rëndësi Milot Rashicës dhe për këtë arsye ai e lë kosovarin të luajë në pozita të ndryshme dhe e udhëzon një bashkëlojtarit të tij ta mbrojë Rashicën gjatë ndeshjeve.

Milot Rashica ka qenë në formë mbresëlënëse këtë sezon në Bundesligës, duke arritur t’i shënojë shtatë gola dhe të kontribuojë me tri asiste në 13 ndeshjet e tij. Për më tepër, ai ndihmoi edhe me dy golat e tij në dy ndeshjet e Kupës së Gjermanisë.

Shkaku i këtyre paraqitjeve të mira, Rashica tani po vlerësohet i rrezikshëm nga ekipet kundërshtare dhe trajnerët kundërshtarë i udhëzojnë lojtarët e tyre t’i qëndrojnë më afër kosovarit.

Për t’i rezistuar këtyre taktikave dhe për ta nxjerrë më të mirën nga lojtari i vet, trajneri Florian Kohfeldt ka vendosur ta lë Rashicën të luajë në pozita të ndryshme, përderisa ia ka ofruar edhe ndihmën e një sulmuesi shtesë.

“Në analizat që i kemi bërë për pjesën e parë të sezonit e kemi zbuluar që kundërshtarët po i kushtojnë më shumë vëmendje Milotit. Ne duhet ta mbrojmë atë, në mënyrë që ai të ketë më shumë hapësirë”, sqaroi Kohfeldt.

“Ne do ta lejojmë atë të luajë në pozita të ndryshme gjatë pjesës së dytë të sezonit, në mënyrë që ai të jetë më i paparashikueshëm për kundërshtarët. Kjo pasi që në pjesën e parë të sezonit, sulmi ynë ishte i gjithi i orkestruar nga Rashica”.

Deichstube shkruan se këto taktika të Kohfeldtit mund të vërehen edhe gjatë seancave stërvitore, kur trajneri i udhëzon lojtarët e tjerë të sulmit ta krijojnë një lloj mburoje rreth Rashicës, në mënyrë që ai ta shfrytëzojë shpejtësinë dhe talentin e tij para portës kundërshtare.

(Kosova Sot Online)