Eros Grezda prezantohet te klubi i ri, kthehet nga Skocia në Kroaci

  • 07 January 2020 - 15:32
Eros Grezda prezantohet te klubi i ri, kthehet nga Skocia në Kroaci

Sulmuesi shqiptar Eros Grezda është prezantuar sot te klubi i tij i ri, Osijek, ku është kthyer sërish pasi i dështoi periudha e tij në Premiershipin e Skocisë me Rangers. Gjatë prezantimit, ai zbuloi se kishte pasur oferta edhe nga klube të tjera.

Eros Grezda ishte transferuar për dy milionë funte nga Osijeku në Rangers në gusht të vitit 2018, mirëpo nuk arriti të ketë ndonjë lloj ndikimi te klubi skocez në sezonin e tij të parë.

Madje, atij i ishte bërë e ditur se nuk kishte të ardhme në klub, pasi e kishte pështyrë një kundërshtar gjatë në një ndeshjeje të Rangers në Caramel Wafer Challange Cup.

Rangers kishin tentuar ta largonin shqiptarin 24-vjeçar nga skuadra gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo dështuan në këtë tentim përkundër interesimit nga disa klube të Katarit.

Megjithatë, pas 18 muajve zhgënjyese në Skoci ai tashmë do të kthehet në Kroaci me Osijekun, ku u prezantua sot.

Në  këtë prezantim, drejtues të klubit të Osijek e vlerësuan transferimin e 24-vjeçarit si një marrëveshje të shkëlqyer në aspektin financar, pasi që çmimi i tij ishte i ulët. Ndërsa, Grezda u shpreh i lumtur që u kthye në klubin kroat.

“Kam pasur disa oferta, nga Kroacia, por edhe nga shtete të tjera, Janë interesuar për mua edhe klube si Rijeka e Hajduku, por vendosa të rikthehem te Osijek dhe jam shumë i lumtur për këtë”, deklaroi Grezda.

Grezda e ka humbur tashmë vendin në skuadrën e Kombëtares së Shqipërisë që kur në stol u emërua trajneri Edy Reja, megjithatë për t’u rikthyer te kuqezinjtë ai duhet të shfaqë formë të mirë në kampionatin kroat.

(Kosova Sot Online)