Kosova niset drejt Katarit, ku do të përballet me Suedinë

  • 08 January 2020 - 08:38
Kosova niset drejt Katarit, ku do të përballet me Suedinë

Kombëtarja e Kosovës u grumbullua mbrëmë në hotel “Emerald”, kurse sot në mëngjes do të niset për në Katar, ku më 12 janar do ta luajë një ndeshje miqësore me Suedinë.

Për miqësoren kundër Suedisë, trajneri i Kosovës Bernard Challandes ka vendosur t’i japë hapësirë edhe shumë futbollistëve të Superligës së Kosovës, si dhe disa prej lojtarëve që kanë luajtur me Kombëtaren U21.

Pas darkës, mbrëmë në hotel, futbollistët u takuan me presidentin e FFK-së Agim Ademin dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihun. Ata e vlerësuan si shumë të rëndësishëm faktin që për këtë miqësore përzgjedhësi Challandes iu ka ofruar mundësi prezantimi edhe shumë futbollistëve të elitës së futbollit kosovar.

“Ju jeni pjesa jonë më e këndshme dhe dëshirojmë që të keni sukses. Kjo për faktin se ngritja e rezultateve të Kombëtares ka bërë bujë të madhe në tërë botën. Kemi shumë besim te ju dhe sigurisht se edhe ju do t’ia dilni të na prezantoni mirë, për të dëshmuar kësisoj që ne nuk jemi thjesht vetëm 20 futbollistë, por një popull i tërë që e duam futbollin”, ka thënë Ademi.

“Shpesh po na quajnë ‘Brazili i Ballkanit’ për talentin që kemi në futboll, andaj duke pasur parasysh se këtë herë shumë prej lojtarëve vijnë nga Superliga e Kosovës dua që të prezantohemi pikërisht në këtë formë”.

“Është nder i madh që të jesh anëtar i Kombëtares, qoftë edhe 5 minuta e lëre me qenë në një grumbullim si ky, ku do të luajmë me një prej ekipeve më prestigjioze të Evropës, siç është Suedia. Ju dëshirojmë çdo të mirë në karrierën tuaj dhe sukses në udhëtimin tonë të përbashkët që do ta kemi nesër”.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu ka thënë se shumë gjenerata e kanë pasur ëndërr ta prezantojnë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Duke qenë se shumë prej jush jeni për herë të parë pjesë e ekipit kombëtar dua t’u them që ta shijoni bartjen e fanellës së Kombëtares në maksimum, ngase pa dyshim është një ëndërr çdo futbollisti”, ka thënë Salihu.

“Gjenerata ime vetëm e kemi ëndërruar një gjë të tillë, ngase kemi jetuar në rrethana të okupimit dhe të sakrificës, prandaj jemi krenar që na është dhënë mundësia që tani ta jetojmë këtë realitet dhe ndjehemi krenar që juve po ju jepet rasti për ta përfaqësuar shtetin”.

(Kosova Sot Online )