Sa është i sigurt Katari për lojtarët e Kosovës, pas vrasjes së Soleimanit

  • 08 January 2020 - 08:43
Sa është i sigurt Katari për lojtarët e Kosovës, pas vrasjes së Soleimanit

Qeveria britanike ka bërë të ditur Katari është mjaftueshëm i sigurt për ta vizituar edhe tani, përkundër situatës së tensionuar në regjion shkaku i vrasjes së gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimani, mirëpo i ka paralajmëruar turistët të jenë të kujdesshëm ndaj sulmeve të mundshme.

Kombëtarja e Kosovës u grumbullua mbrëmë në hotel “Emerald”, kurse sot në mëngjes do të niset për në Katar, ku më 12 janar do ta luajë një ndeshje miqësore me Suedinë.

Për miqësoren kundër Suedisë, trajneri i Kosovës Bernard Challandes ka vendosur t’i japë hapësirë edhe shumë futbollistëve të Superligës së Kosovës, si dhe disa prej lojtarëve që kanë luajtur me Kombëtaren U21.

Të gjithë këta futbollistë do të nisen sot drejt Katarit, që ndodhet afër Iranit. Situata në Lindjen e Mesme ka qenë e tensionuar pas vrasjes së gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimanit, dhe kjo i ka ngritur shqetësimet në mesin e qytetarëve për futbollistët e Kosovës.

“Pas vdekjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga një sulm ajror nga SHBA-ja në Bagdad më 3 janar, incidenti e ka tensionuar edhe më shumë situatën në regjion. Ka mundësi të ketë rrezik të shtuar ndaj vendeve me interes perëndimor dhe situata e sigurisë mund të përkeqësohet pa paralajmërim. Duhet të qëndroni të kujdesshëm dhe t’i ndiqni të gjitha lajmet e fundit”, shkruhet në udhëzimin e qeverisë britanike.

“Sulmet terroriste në Katar nuk mund të përjashtohen. Sulmet mund të mos kenë qëllim drejt një grupi të caktuar të njerëzve, por mund të jenë të rastësishme dhe në vendet që vizitohet nga të huajt”.

“Terroristët vazhdojnë të lëshojnë deklarata kërcënuese për sulme në regjion. Ju duhet të qëndroni shumë të kujdesshëm për sigurinë tuaj, veçanërisht në vendet publike. Shmanguni tubimeve të mëdha dhe demonstratave”.

(Kosova Sot Online )